Brazili, i goditur rëndë, nis vaksinimin kundër koronavirusit

Brazili, vend i goditur rëndë nga koronavirusi, nisi vaksinimin, fillimisht të stafit mjekësor.

Monica Calazans, infermiere 54-vjeçare në San Paulo, u bë personi i parë që mori vaksinën kineze Sinovac.

Rregullatori shëndetësor në këtë vend, Anvisa, i ka dhënë dritën e gjelbër edhe vaksinës Oxford-AstraZeneca.

Me mbi 8.4 milionë njerëz të infektuar me koronavirus, Brazili është vendi i tretë më i prekur në botë.

Brazili ka edhe numrin më të lartë të viktimave, pas SHBA-së: mbi 209,000.

Autoritetet raportuan 551 viktima të dielën – hera e parë në gjashtë ditë që kjo shifër nuk ka arritur në 1,000.

Presidenti Jair Bolsonaro, i cili e ka minimizuar pandeminë nga fillimi, po përballet me kritika në rritje për trajtimin e sëmundjes.

Disa protesta anti-qeveritare janë mbajtur javën e kaluar.

Si kundërshtar i masave të izolimit, ai ka fajësuar guvernatorët e shteteve dhe kryetarët e bashkive për krizën, duke thënë se qeveria federale i ka siguruar të gjitha burimet e nevojshme për të luftuar virusin./REL