Branislav Kërstiq: "Janë duke e trajtuar çështjen e hapjes së urës si çështje e sigurisë, boll u kry!”

Mjete të blinduara, e forca të shtuara të karabinierëve në Urën e Ibrit si dhe policia e cila u njoftua nga KFOR-i për një trajnim ishin disa nga zhvillimet që ndodhën sot mbi Urën e lumit Ibër  më 31.08.2024.

Në lidhje me këto patrullime, gazetari serb, Branislav Kërstiq në një prononcim për KALLXO.com tha se po bëhen propaganda kundër KFOR-it gjithashtu sipas tij çështja e hapjes së urës nuk do të duhej të trajtohej si çështje e sigurisë.

“Puna e ahmakave e shtetit të Kosovës është me nisë me propaganda kundër KFOR-it. Pa kuptim. Pa KFOR-in ne do të kemi diçka tjetër këtu. KFOR-i ka bërë trajnim për me tregu te nënshtetësit e Kosovës se janë më të fortë, jo veç se ne. Janë duke e trajtu çështjen e hapjes së urës si çështje e sigurisë, boll u kry! Me ato insistime, nga qeveria jonë edhe nga kryeministria jonë dhe nga disa media, pa kuptim. Sepse vetë jemi t`u insistu që e kemi pavarsinë e kufizuar”- tha Kërstiq.

Sipas tij hapja e urës do të behet vetëm atëherë kur faktori ndërkombëtar e vlerëson një gjë të tillë.

“Vetë jemi t`u tregu, kemi humb kredibilitetin para nënshtetasit para qytetarit të vet. Vetë jemi t`u e zhvesh veten që nuk jemi me plot pavarësi. Për mua është e papranueshme. Në qoftë se KFOR-i, në qoftë se Ambasada amerikane janë duke insistu, jam i sigurtë që ata që i kanë qëllimet e mira. Në qoftë se KFOR-i insiston ajo d.m.th. nuk bahet hapja e urës. Ne jemi në pavarsinë e kufizuar. Edhe KFOR-i është ai që do të merr vendim se kur do të hapet ura, kur jo”- tha tutje ai për KALLXO.com.

13:11- EULEX: Nuk kemi prani statike në Urën e Ibrit por kemi patrullime të rregullta

Gjatë ditës së sotme njësi të ndryshme të KFOR-it, duke përfshirë edhe njësitë karabinieri, u panë mbi Urën e Ibrit. Një kordon i KFOR-it ishte formuar atje ndërsa u panë edhe automjete të blinduara dhe mjete të shumta të misionit paqeruajtës në Kosovë.

Përveç kësaj, ekipi i KALLXO.com raportoi edhe për njësi të EULEX-it që u panë në urë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, EULEX ka konfirmuar se nuk kanë një prani statike në Urën e Ibrit por për të monitoruar situatën në vazhdimësi, njësia e formuar e policisë së EULEX-it po kryejnë patrullime mobile.

“Në baza 24/7 policia e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile, por pa u kufizuar në afërsinë e urës”- thuhet në përgjigjen e EULEX-it për KALLXO.com.

Në anën tjetër informacionet e KALLXO.com tregojnë se kordoni i KFOR-it por edhe shtimi i trupave të njësive të KFOR-it në Urën e Ibrit ishin pjesë e një ushtrimi rutinor.

Edhe për këtë çështje KALLXO.com ka pyetur KFOR-in por deri më tani të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Në mëngjesin e sotëm u vendosën ekipe të KFOR-it e karabinierë shtesë.

Informacionet e para që ka KALLXO.com tregojnë se zhvillimet në urën e Ibrit janë pjesë e një trajnimi që po mban misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi se KFOR-i kishte formuar një kordon në Urën e Ibrit dhe me mjete të ndryshme edhe të blinduara u panë në numër të lartë mbi urë.

Deri më tani KFOR  nuk ka kthyer asnjë përgjigje për KALLXO.com për këto zhvillime.

Një trajnim i KFOR-it i cili po zhvillohet sot ka bërë që një grup i ushtarëve të Karabinierëve të vendosen te Ura e Ibrit.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në vendin e ngjarjes ka marrë vesh se ushtrimi ka rastisur që të mbahet pikërisht sot, pra disa orë pas një aksioni të cilin e zhvilloi Policia e Kosovës në veri të vendit.

Në pamjet të cilat ka siguruar ekipi i KALLXO.com, shihen se numri i karabinierëve,  është shtuar dhe mbi Urën e Ibrit janë vendosur edhe disa automjete, edhe të blinduara. Aty janë parë edhe vetura e pjesëtarë të KFOR-it si dhe EULEX-i.

Në lidhje me këtë cështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me policinë. Zëvendësdrejtor i policisë në veri të vendit, Veton Elshani ka thënë se janë njoftuar për një trajnim që do të mbahet. E në anën tjetër KFOR është pyetur për këtë cështje por deri në publikimin e artikullit të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Mjete të blinduara, e forca të shtuara të karabinierëve në Urën e Ibrit, policia u njoftua për një trajnim