'Brandi', qeni i Policisë që  zbuloi personat e gjallë nën rrënojat e Durrësit

‘Brandi’ është emri i qenit të Policisë së Shtetit i cili i zbuloi personat e gjallë nën rrënoja pas tërmetit i cili goditi zonën e Durrësit në Shqipëri.

‘Brandi’, u pa përmes ekraneve që transmetonin live nga vendngjarja, ku kërkonte për persona të mbetur nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, i cili u rrënua si pasojë e tërmetit.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se pasditen e 26 nëntorit, teksa u ndërprenë punimet me mjetet rënda dhe u fikën mjetet që punonin nën rrënoja, qeni policor u përgatit dhe u fut në kërkim.

“Pas kërkimit në pjesën perëndimore të banesës, ku nuk pati asnjë shenjë, u kalua në pjesën jugore të objektit. ‘Brandi’ u fut në një tunel, rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia ka njoftuar se ky nuk ishte misioni i parë i ‘Brandit’, pasi ai është përdorur për kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja edhe në shërbime të tjera më herët në Shkodër e Tiranë.

Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitud 6.4 në mëngjesin e 26 nëntorit.

Nga ky tërmet u shënuan 51 viktima dhe qindra tjerë të lënduar. Shumë qytetarë të Kosovës kanë dërguar ndihma kryesisht në fshatin Thumanë të Durrësit. Kosovarët kanë hapur edhe dyertë për të strehuar bashkëkombësitë e tyre.

Zona e tërmetit, Policia synon të ndalë vjedhjet (VIDEO)

.