Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Braha: Objekti që u përfshi nga zjarri ishte jofunksional

Zjarri i cili ka kapluar sot një objekt në qendër të Prishtinës, tashmë është lokalizuar dhe shuar nga ekipi i zjarrfikësve. Mirëpo deri në këto momente ende nuk dihet shkaqet e zjarrvënies.

Në një prononcim për media, drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha, ka deklaruar se pjesa e cila është kapluar nga zjarri ka qenë jofunksionale dhe nuk ka pasur persona për rreth. Braha potencoi se ka vetëm dëme materiale.

Ajo shtoi se organet e rendit, janë duke u marrë për shkakun e zjarrvënies.

Ndërkaq, Latif Zeka, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Prishtinë, para mediave tha se ekipi i zjarrfikësve kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin pavarësisht vështirësive që kanë hasur.

“Posa e kanë marrë lajmin në orën 12:49, zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes, ka qenë një hov i madh i zjarrit por në momentin që kanë ardhë zjarrëfikësit e kanë futur zjarrin në kontroll. Ka vetëm dëme materiale. Janë ekspertët dhe do të vlerësohet dëmet dhe si ka ardhur deri të zjarri. Nuk e di si nisi zjarri, na jemi vetëm për më fik zjarrin dhe me shpëtu njerëzit”, ka thënë Zeka.

Rasti u konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Rreth orës 13:00, është pranuar informata për zjarr në një lokal në rrugën Luan Haradinaj, në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët janë duke bërë përpjekje për të lokalizuar zjarrin në atë pjesë. Për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e policisë.

KALLXO.com ka raportuar drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.