BQK: Nuk do të ketë rritje të interesit për shtyerjen e këstit të kredive

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një konferencë për media ka folur për vështirësitë që pritet ta godasin ekonominë e vendit për shkak të gjendjes nga coronavirusi.

“Në këto kushte kur kërkesa për kredi bie, po ashtu pasiguria për të ardhmen rritet, pritet që të ketë edhe rënie të kreditimit nga institucionet financiare duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të fianncimit të konsumit dhe investimeve”, tha ai.

Mehmeti shtoi se një kanal tjetër i goditjes nga kriza pandemike mund të jetë edhe sektori i jashtëm.

“Kosova e ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë mbi 10% në raporton me GDP-në në baza vjetore”, shtoi guvernatori.

Sipas tij nga kjo gjendje do të ndikohet edhe ulja e investimeve të huaja direkte.

“Kategoria e cila pritet të ketë qëndrueshmëri më të lartë janë shpenzimet publike, rrjedha e të cilave në ekonomi pritet që të zbus deri në një amsë të theksuar efektet negative. Pakoja e miratruar ditë më parë nga qeveria pritet të jetë një ineksion i nevojshëm për fondet në ekonomi”, tha ai.

Mehmeti ka shtuar se nuk do të ketë masa ndëshkuese për shtyerjen e këstit të kredive.

“Interesi i rregullt llogaritet, por do të shpërndahet nëpër periudha kohore sapo të kalojë kriza. Do të llogaritet, por do të paguhet në muaj në vijim. Dua të ju siguroj, edhe bankave ua kemi bërë me dije, të respektohen vendimet në mënyrë shumë korrekte pasi pas përfundimit të kësaj krize ne do të fillojmë ekzaminime te secila bankë dhe nëse një bankë si ka respektuar rekomandimet, do të ketë masa ndëshkuese ndaj instiucioneve financiare”, theksoi ai.

BQK-ja ka përmendur edhe një herë masat e ndërmarra për shkak të situatës me CoVid-19.

“Kemi siguruar një sistem efikas të pagesave edhe në komunat e izoluara. Kemi një furnizim të mirë me para të gatshme dhe s’do të ketë asnjë problem. BQK ka filluar me dezinfektimin e të gjitha parave në treg. Gjendja e kreditimit mbetet e njëjtë. Pezullimi i përkohshëm i pagesave të këstit të kredisë do të rishikohjet rast pas rasti” tha guvernatori.

Ai shtoi se bankat në asnjë rast nuk duhet t’i rrisin tarifat për kryerjen e shërbimeve, sidomos në këtë kohë.