BQK: Nga 1 janari 2024 deri tani janë larguar nga qarkullimi rreth 430 mijë copë bankënota të denominimit 500 euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se është rritur përfshirja financiare, integriteti i sistemit financiar dhe është zgjeruar rrjeti i institucioneve financiare dhe shërbimeve digjitale.

Sipas BQK-së, zyrat e institucioneve financiare të licencuara në sektorin financiar të vendit në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 janë rritur për 40 njësi.

BQK ka përmendur edhe aktivitetet e saj për të luftuar paranë e falsifikuar.

“Sipas planit të BQK-së, nga 1 janari 2024 deri tani janë larguar nga qarkullimi rreth 430 mijë copë bankënota të denominimit 500 euro, në vlerë prej 215 milionë euro, si dhe janë ndërmarrë aktivitete tjera që kanë luftuar paranë e falsifikuar duke mundësuar furnizim të ekonomisë me para, si dhe aktivitete tjera në zbatim të kornizës ligjore në fuqi lidhur me funksionimin e ligjor të institucioneve financiare, që kanë fuqizuar dukshëm integritetin e sektorit financiar” – thuhet në njoftimin e BQK-së më 14.02.2025.

Edhe Policia e Kosovës ka raportuar disa herë për monedha e kartëmonedha të falsifikuar gjatë tërë vitit 2024.

Foto: BQK

Për qasjen në financa në komunat në veri të Kosovës, BQK njofton se nga fundi i vitit 2023, numri i institucioneve financiare të cilat janë licencuar për të ushtruar aktivitetin e tyre në katër komunat veriore të vendit, pothuajse është trefishuar, si rezultat i masave të planit të BQK-së për mbështetjen e zgjerimit të qasjes në financa dhe aktiviteteve të përbashkëta me sektorin.

“Deri në gusht të vitit 2023 numri i përgjithshëm i zyrave të institucioneve financiare në veri të vendit ishte 17, prej të cilave 4 ishin zyra bankare (2 prej të cilave në pikat kufitare), me të dhënat aktuale, ky numër i përgjithshëm ka arritur në 46 institucione (shtim prej 29 institucione), prej të cilave 12 janë zyra bankare, duke trefishuar prezencën bankare në ato zona të vendit, duke përfshirë banka vendore dhe ndërkombëtare” – ka njoftuar BQK.

BQK ka paraqitur të dhënat e fundit në lidhje me numrin aktual të zyrave bankare, të institucioneve financiare jobankare dhe mikro-financiare si dhe kompanive të sigurimit.

Foto: BQK

BQK shton se në vitin 2024, përmes Sistemit Ndër-bankar të Pagesave (KIPS) numri i transaksioneve është rritur për 1.8 milion apo 9.5%, kurse vlera e transaksioneve është rritur rreth 3.6 miliardë euro apo 16.3%.

“Në vitin 2024 janë procesuar rreth 21 milionë transaksione me vlerë totale rreth 25.4 miliardë euro, që është ekuivalent me rreth 2.4 herë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Krahas avancimit të përdorimit të shërbimeve të pagesave në sektorin bankar vërehet një përpjekje e vazhdueshme për të zgjeruar qasjen në shërbimet financiare në vend ku numri i bankomatëve (ATM) dhe numri i POS terminaleve është rritur për 8.4% respektivisht 21.4% krahasuar me vitin paraprak” – njofton BQK.

Tutje, BQK tregon se në fund të vitit 2024 janë raportuar 2.6 milionë llogari të klientëve, të cilat përfshijnë llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimeve, llogaritë e depozitave të afatizuara si dhe llogaritë e parave elektronike për individë dhe biznese.

“Krahasuar me vitin 2023 evidentohet një rritje prej 61,166 llogari apo 2.4%. Një rritje e theksuar evidentohet tek llogaritë e parave elektronike të cilat në vitin 2024 kanë arritur në 79,706 llogari duke shënuar një rritje prej 34,049 apo 74.6% krahasuar me vitin 2023” – thotë BQK.

Për më shumë rreth këtij njoftimi të BQK mund të lexoni në këtë LINK.