BQK nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për bonot e thesarit për diasporën

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe bankat komerciale partnere, për lancimin e bonove të thesarit për diasporën, përmes së cilave synohet krijimi i mundësive shtesë për mobilizimin e kursimeve drejt ekonomisë së Kosovës.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që procesi i shitblerjes së letrave me vlerë të realizohet në mënyrë sa më efektive, duke ofruar siguri dhe efikasitet gjatë kryerjes së transaksioneve”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga BQK.

Zhvillimi i mëtejmë i tregut të letrave me vlerë në Kosovë ka një rëndësi të madhe për krijimin e kushteve për zhvillim më të shpejtë ekonomik përmes rritjes së alternativave investuese dhe burimeve të financimit, vlerësojnë zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës.