Foto: KALLXO.com

BQK: Në Kosovë u rrit inflacioni

Rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2019 pritet të jetë 4.2%.

Kështu kanë thënë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës në një konferencë ku kanë shpalosur të arriturat gjatë këtij viti.

“Rritje e ngjashme planifikohet të jetë edhe në vitin e ardhshëm”, tha guvernatori Fehmi Mehmeti.

Guvernatori tha se edhe inflacioni këtë vit është më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

“Norma mesatare e inflacionit vjetor, sipas të dhënave që i kemi në dispozicion, të nëntorit, për vitin 2019 shënon 2.8 %, që është dukshëm më e lartë nëse krahasohet me shkallën e inflacionit që ka qenë një vit më herët”, tha Mehmeti.

Sa i përket sektorit bankar guvernatori tha se edhe ky vit ku sektor karakterizohet me një rritje të kreditimit, përmirësim të qasjes në financa dhe rritje e lartë e qëndrueshmërisë financiare.

Zhvillime pozitive sipas Mehmetit ka edhe në fondin pensional të Kosovës, ku vlera e aseteve ka arritur deri në 1.92 miliard euro.

“Me zhvillime pozitive gjithashtu karakterizohet edhe fondi pensional i Kosovës, vlera me asetet e këtij sektori ka arritur në 1.92 miliard euro duke shënuar një rritje vjetore në 8.8%, kemi kthim pozitiv në vlerë 138 milionë euro gjë që tregon rritje të vlerës së rritjes pensionale të qytetarëve të Kosovës”, pohoi ai.

Sipas guvernatorit, edhe sektori i sigurimeve ka rritur aktivitetin sigurues dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit.

Mehmeti tha se BQK po angazhohet në vazhdimësi për të siguruar një trajtim korrekt dhe pagesë korrekte të dëmeve të siguruesit.