Foto: BQK

BQK mirëpret vlerësimin e Bankës Botërore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpriti raportin e fundit të Bankës Botërore “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas COVID-19”. Banka Botërore vlerëson zhvillimet pozitive në sektorin financiar.

Sipas njoftimit të BQK-së, raporti në fjalë ka njohur zhvillimet pozitive në sektorin financiar, rritjen e kredive dhe të depozitave, si dhe kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit, të cilat mbesin mbi limitet e rregullores.

BQK thotë se kreditë joperformuese vazhdojnë të jenë në nivel ulët.

“Kreditë joperformuese po vazhdojnë të jenë në nivel të ulët, të cilat u luhatën mes 2.5 dhe 2.7 për qind gjatë periudhës janar-korrik 2021.”, thuhet në njoftim.

Më tej BQK përmend raportin që thekson se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, megjithëse në të ardhmen rreziqet mbeten të larta, ndërsa vendi vazhdon të përballet me pandeminë.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, gjatë këtij viti Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 7.1%, falë ardhjes së madhe të diasporës, rritjes së eksporteve dhe konsumit, derisa eksportet e shërbimeve deri në fund të këtij viti do të jenë më të larta për 9.5%.

Në periudhën afatmesme, rritja ekonomike e vendit tonë do të jetë mbi 4% dhe do të jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë.

Kallxo.com më parë raportoi që Banka Botërore vlerësoi se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, por rreziqet për perspektivë mbeten të larta ndërsa vendi vazhdon të përballet me pandeminë. Rritja e ekononomisë vendase pritet të jetë 7.1 për qind për sivjet.

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës më 2021 pritet të jetë 7.1%

Gjithashtu, Banka Botërore në raportin e saj për konkurrencën dhe rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19 thekson se numri i i kontribuesve aktivë të pensioneve ka shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë në raport me ato të viteve të mëparshme, ku paraqet rreth 40 mijë vende të reja të punës, ndërsa ra numri i atyre që kërkuan punë.

Banka Botërore: Rreth 40 mijë vende të reja pune u hapën në Kosovë

www.kallxo.com