BQK kërkon nga qytetarët që degët bankare të shfrytëzohen sa më rrallë

Pas situatës së krijuar si rezultat i Coronavirusit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të gjitha Bankat e Kosovës janë duke funksionuar normalisht, ashtu sikur bankomatët.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se këto hapësira janë duke u dezinfektuar rregullisht, por BQK-ja kërkon që degët bankare të shfrytëzohen sa më rrallë.

“Këto hapësira janë duke u dezinfektuar rregullisht nga ana e bankave, por duke pasur parasysh masat mbrojtëse të rekomanduara si pjesë e parandalimit të shpërndarjes së virusit, ju lutemi që degët bankare t’i shfrytëzoni sa më rrallë dhe të përdorni më tepër kartelat bankare, dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet tuaja bankare”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Sot në Kosovë është konfirmuar rasti i tretë i prekur me Coronavirus, kurse, dy rastet e para janë konfirmuar dje. /21Media