Foto: BQK

BQK i quan pretendime të sajuara, informacionet e sinjalizuesit që i dërgoi në Anti-Korrupsion

Banka Qendrore e Kosovës ka reaguar ndaj një shkresë të dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion me informacione nga një sinjalizues, që sipas tij, dëshmojnë keqpërdorime të ndryshme dhe punësime në BQK.

BQK i ka quajtur pretendime të sajuara këto informacione ndërsa ka thënë se në vijimësi ky institucion është qeverisur sipas standardeve më të larta të transparencës dhe llogaridhënies.

BQK përmes një njoftimi ka thënë se çështjet e pretenduara në letrën e sinjalizuesit kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të BQK-së dhe vënien e saj nën presionin e palëve.

“BQK-ja në vijimësi është qeverisur duke respektuar standardet më të larta të profesionalizmit, transparencës dhe llogaridhënies. Çështjet e pretenduara në këtë letër kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të BQK-së dhe vënien e këtij institucioni nën presionin e palëve, të cilët mund të kenë për qëllim realizimin e interesave të ngushta përmes BQK-së. Çështjet e ngritura në këtë letër, BQK-ja veçse i ka sqaruar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe në media”, thuhet në njoftim.

Në fund BQK ka ftuar organet e drejtësisë që të trajtojnë këto çështje dhe të zbardhin të vërtetën.

KALLXO.com mbrëmë ka raportuar që një sinjalizues ka dërguar një shkresë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) me informacione, të cilat, sipas tij, dëshmojnë keqpërdorime të ndryshme dhe punësimet në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Sinjalizuesi në dokument (të cilin e ka siguruar KALLXO.com) pretendon se mbi 70 persona përmes lidhjeve familjare janë punësuar në BQK gjatë pesë viteve të fundit.

Ai ka treguar një listë të personave që janë punësuar dhe lidhjet e të punësuarve me zyrtarë të institucioneve, të partive, të drejtuesve të BQK-së dhe personalitete të tjera.

Gjithashtu, sinjalizuesi pretendon se disa zyrtarë brenda BQK-së janë shkarkuar e suspenduar kur nuk kanë zbatuar “urdhrat” nga eprorët.Në letrën 11-faqëshe të sinjalizuesit përfshihen edhe pretendimet për abuzime me tenderë ndër vite, revokimet dhe dhënia e licencave të institucioneve financiare, marrëveshjet me kompanitë e sigurimeve etj.

Sinjalizuesi kërkon nga Qeveria dhe deputetët të kthejnë vëmendjen te BQK-ja, pretendon skandale të shumta