BQK: Diaspora dërgoi 956 milionë euro gjatë vitit 2021

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka prezantuar zhvillimet në sektorin financiar gjatë vitit 2021.

Në një njoftim për media thuhet se Mehmeti ka thënë se BQK-ja ka arritur edhe në këtë vit të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm.

Mehmeti ka shtuar se bazuar në vlerësimet e BQK-së, Kosova do të shënojë rritje ekonomike prej rreth 9.9 për qind.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri me tetor të këtij viti, shpenzimet e jo rezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.33 miliard euro, e cila paraqet një rritje prej 151.3 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë Mehmeti.

Tutje thuhet se viti 2021 ka shënuar një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, ku vlera e remitencave të pranuara thuhet se deri në fund të muajit tetor është 956 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 20.0 për qind.

“Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në nëntor 2021 shënoi vlerën 4.2 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 42.5 për qind”, ka thënë Mehemti, i cili ka shtuar se eksporti i mallrave ka shënuar vlerën prej 684.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 60 për qind.

“Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, deficiti tregtar në llogarinë e mallrave deri në muajin nëntor 2021 regjistroi vlerën prej 3.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 39.6 për qind”, është shprehur Guvernatori Mehmeti.

Në njoftim është treguar se rritje kishte edhe eksporti i shërbimeve.

“Deri në shtator 2021 eksporti shënoi vlerën prej 1.59 miliardë euro, apo një rritje vjetore prej 117 për qind dhe kjo ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është treguar se importi i shërbimeve deri më shtator 2021 regjistroi vlerën prej 642 milionë euro, ndërsa gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin nëntor janë në shumën prej rreth 5 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rreth 2.3 miliardë euro.