Foto: BQK

BQK dhe Banka Qendrore e Portugalisë filluan aktivitetet për avancimin e proceseve në BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Portugalisë (Banco de Portugal) kanë filluar sot aktivitetet me fokus në avancimin e proceseve në BQK për rishikimin dhe shqyrtimin e ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të programit aktual të forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

“Ky komponent i programit do të realizohet deri në fund të këtij viti, si dhe do të përfshijë vlerësimin e gjendjes aktuale, nxjerrjen e rekomandimeve për konvergjencë dhe harmonizim me praktikat e zbatueshme nga bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe parashtrimin e mënyrës së zbatimit të këtyre rekomandimeve”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Për shkak të rrethanave me pandeminë COVID-19 ky komponent i programit do të mbahet përmes video-konferencave dhe shkëmbimit të dokumentacioneve me postë elektronike.

“Programi i forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 26 mars 2019. Ai po financohet nga Bashkimi Evropian dhe në të janë të përfshira 20 banka qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje.

Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) administron dhe bashkërendon të gjithë komponentët e programit.