
Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL/Shutterstock
BQE-ja paralajmëron: Europa do të ishte humbësja e madhe e luftës tregtare SHBA-Kinë
Normat e interesit të Bankës Qendrore Europiane kanë hapësirë që të ulen edhe më shumë, derisa inflacioni po moderohet – ka thënë anëtari i bordit të BQE-së, Piero Cipollone, duke paralajmëruar se lufta tregtare ndërmjet Administratës amerikane me Kinën do të kishte ndikim përcaktues në mesin e shteteve anëtare të Eurozonës – raporton të enjten, më 06.02.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.
BQE-ja ka ulur normat e interesit të huave pesë herë prej qershorit, derisa shqetësimet për rritjen ekonomike kanë nisur të ulin tensionet të lidhura me çmimet dhe investitorët presin që të ketë sivjet së paku edhe tri Vendime të uljes së normave, në përpjekje për të fuqizuar ekonominë që po ka telashe të rimarrë veten pas dy vjetësh, me gjendje pothuajse stagnimi ekonomik.
“Ne të gjithë pajtohemi se ende ka hapësirë për ulje normash.” – ka deklaruar Cipollone në një intervistë për Reutersin. “Ne pothuajse kemi arritur cakun dhe ne ende jemi në territor restriktiv”.
Por, çmimet më të larta të energjisë dhe tensionet e tregtisë botërore po e shtyjnë BQE-në drejt drejtimeve të ndryshme, prandaj nuk ka kuptim që aktualisht të ndërmerret ndonjë hap specifik – përfshirë ndryshime politikash të çmimeve në mars – ka thënë Cipollone.
Megjithatë, ekonomia e Eurozonës nuk ka ndryshuar rrënjësisht prej dhjetorit, kur projeksionet e BQE-së hamendësonin katër shkurtime normash më 2025 – përfshirë një lëvizje që tashmë është aprovuar muajin e kaluar me vendim unanim.
Ka pasiguri të madhe shkaku i politikës tregtare amerikane dhe kjo mund të godasë rëndë Europën, madje edhe përpara çdo pengese të drejtpërdrejtë tregtare në bllok – argumentoi Cipollone.
“Ajo që më shqetëson më shumë është nëse presidenti Trump përfshihet në një luftë të plotë tregtare me Kinën.” – ka shtuar Cipollone, anëtari më i ri i bordit të BQE-së. “Ky është një kërcënim më serioz, sepse Kina ka 35% të kapacitetit prodhues të botës”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com