Ilustrim

BPSK: Me shqetësim përcjellim veprimet e qeverisë dhe punëdhënësve karshi punëtorëve

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate në Ditën Ndërkombëtare të Punës, u ka uruar shëndet dhe prosperitet drejt realizimit të detyrave të tyre.

Ndërkaq, BSPK ka thënë se me shqetësimin po përcjellin veprimet e qeverisë dhe punëdhënësve, “karshi detyrimeve që kanë për të përmirësuar mirëqenien sociale e ekonomike të të punësuarve në Republikën e Kosovës”.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës me shqetësim përcjell veprimet e Partnerëve Socialë – të Qeverisë e të Punëdhënësve, karshi detyrimeve që kanë për të përmirësuar mirëqenien sociale e ekonomike të të punësuarve në Republikën e Kosovës. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është zotuar për këtë që do të jetë gardiani i ruajtjes së të drejtave të të punësuarve në Republikën e Kosovës, dhe se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e arsyeshme e të drejta për realizimin e të drejtave të të punësuarve për një infrastrukturë ligjore të drejtë dhe jo diskriminuese e cila të punësuarve në Republikën e Kosovës ua mundëson ngritjen e mirëqenies sociale e ekonomike e cila del nga mundi dhe djersa e tyre, dhe jo shfrytëzim e pabarazi e diskriminim e manipulim të punës dhe djersës”, thuhet në komunikatën e tyre.

1 Maji është përcjellur sot me protesta në kryeqytet.

“Qeveri – Kompani private hapë sytë, punëtorët po shkojnë”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “themeloni gjykatën e punës”, “Të fillojë sa më parë aplikimi i sigurimit shëndetësor” janë disa nga parullat me të cilët protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt objektit te Qeverisë së Kosovës.

Nga ora 12 është mbajtur edhe protesta tjetër nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” .

1 Maji është dita që në të gjithë botën i kushtohet punëtorëve. Kjo lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.