Mokgweetsi Masisi - FOTO - FCB

Botsuana e ndërron partinë qeverisëse pas 58 vjetësh në pushtet

Presidenti i Botsuanës, Mogweetsi Masisi, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të premten, në një moment sizmik ndryshimi për vendin që i dha fund sundimin 58-vjeçar të partisë në pushtet prej kohës së pavarësimit nga Britania e Madhe në vitet ’60, raporton agjencia e lajmeve, AP.

Pranimi i humbjes prej presidentit u bë para se të publikoheshin rezultatet përfundimtare, me Partinë e tij Demokratike të Botsuanës që doli e katërta në zgjedhjet parlamentare në atë që po konsiderohet një ndëshkim i madh për partinë në pushtet dhe fitore e madhe për partinë më të madhe opozitare.

Opozita “Ombrella për Ndryshim Demokratik” ka dalë e para me një epërsi të madhe pas publikimit të zgjedhjeve preliminare me kandidatin Duma Boko që favorizohet për t’u bërë presidenti i shtetit të Afrikës lindore që është njëri prej prodhuesve më të mëdhenj në botë të diamanteve.

Masisi ka thënë se e ka telefonuar Bokon për ta informuar se e pranon disfatën dhe ka theksuar se Boko tani në të vërtetë është president i zgjedhur.

Rezultatet pritet të publikohen, por partia e Masisit nuk ka mundësi që ta sigurojë shumicën.

“Unë i njoh zgjedhjet”, ka deklaruar Masisi në një konferencë paraditen më 01.11.2024 dy ditë pas ditës së zgjedhjeve. “Jam krenar për proceset tona demokratike. Megjithëse unë doja një mandat të dytë, do të tërhiqem dhe do të marr pjesë në procesin e butë të tranzicionit”.

“Pres që të marrë pjesë në inaugurim dhe do ta përgëzoj pasuesin tim. Ai do ta ketë mbështetjen time”.

BDP-ja e Masisit kishte dominuar politikën në Bostuanë për pothuajse gjashtë dekada, prej pavarësisë më 1966. Shteti me 2.5 milionë banorë do të qeveriset prej një partie tjetër për herë të parë në historinë e tij demokratike.

Deri tani, “Ombrella për Ndryshim Demokratik”, ka fituar 25 prej 61 mandateve parlamentare të përcaktuar prej votuesve, kanë treguar të dhënat preliminare, i duhen 31 mandate për ta siguruar shumicën.

BDP-ja ishte partia me jetëgjatësinë aktuale më të madhe në pushtet në Afrikë dhe humbja e saj e madhe ishte një befasi pasi pakkush priste garë të ngushtë. Në Afrikën Jugore fqinje, Kongresi Kombëtar Demokratik në maj humbi zgjedhjet, duke u detyruar që pas tridhjetë vjetësh të formonte qeveri koalicioni.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com