Botohet një libër për mërgatën shqiptare në Gjermani 

Pas një pune relativisht të gjatë kërkimore katër vjeçare për rolin, rëndësinë, shkaqet e emigrimit dhe organizimin kulturor dhe atdhetar të mërgatës shqiptare në Gjermani, shkrimtari dhe studiuesi Argjend Hasani, publikoi studimin “Mërgata shqiptare në Gjermani”, pjesa e -I-rë.

Në këtë botim autori Argjend Hasani ka prezantuar punën dhe aktivitetet e mërgatës shqiptare në Gjermani në një interval kohor 50 vjeçar.

Libri përmban 8 kapituj, duke nisur me fillimet e para që u bënë shkak për migrimin e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit, organizimeve kulturore dhe atdhetare, arsimore, artit dhe letërsisë, humanizmit, afarizmit dhe integrimit në Republikën Federale të Gjermanisë.

Autori Argjend Hasani, gjatë grumbullimit të të dhënave për botim, ka bashkëpunuar me shumë personalitete të shquara atdhetare që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani, veprimtarë, shkrimtarë, arsimtarë, krijues, artistë, etj,  si dhe me shoqata të shumta kulturore që mbajnë gjallë frymën atdhetare në mërgim.