Botohet monografia për romanet e Hasan Hasanit

Studiuesi Skënder Hoxha, ka botuar kohë më parë studimin monografik, “Këndvështrime letrare – Opusi romanor i Hasan Hasanit”.

Monografia “Këndvështrime letrare – Opusi romanor i Hasan Hasanit” në mënyrë analitike dhe kritike trajton shtatë romane për të rritur të Hasan Hasanit: “Ulërima” (1989), “Qafëtuli i Shavarinës” (1999), “Kohë të egra” (2006), “Shamitë e vdekjes” (2014), “Pikëllim në pikëllimë” (2014), “Foshnja në prag” (2014), “E mashtruara” (2014).

Studiuesi Hoxha deri më tani ka shkruar dhe botuar edhe katër libra tjerë për veprimtarinë letrare, publicistike, leksikografike, etj., të Hasan Hasanit.

Shumica e romaneve të shkrimtarit Hasanit, sipas studiuesit Hoxha, temë trajtimin kanë pjesë më të errët të traditës së Kanunit të Maleve; hakmarrjen dhe faljet e gjaqeve.

 “Këto romane duhet të lexohen se në to, rënia në gjak, ngujimi, besa, kanë dimensione të ndryshme, ku, në fund edhe hakmarrja e falja e gjakut marrin dimensione te ndryshme. Ndaj, si të tilla, këto romane mbesin si monumente të kësaj tematike”, ka thënë Hoxha në një prononcim për Kallxo.com.