Botohet libri ‘Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh’ i Blerim Rrecajt 

Në mesmarsin e këtij viti pothuajse në ditët e para të fillimit të pandemisë COVID-19, ka parë dritën e botimit libri me skica e vargje me titull: “Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh” me autor Blerim Rrecaj.  

Ky libër me skica dhe një buqetë vargjesh në mes pasqyrojnë dromca realiteti të mbushura me shqetësime e shpresa për dritën e shumëpërmendur “në fund të tunelit”.  

E gjithashtu një përpjekje për të dhënë përgjigje për vragët dhe shenjat që ka lënë e po lë mbi ne ky realitet kohe.  

Janë gjurmë e kujtime të freskëta të vëna në letër në stilin “hekuri rrehet sa është i nxehtë”, duke lënë një dokument që synon të shohë ndryshime për të mirë të një populli e vendi që synon rimëkëmbjen e gjithëmbarshme në gjitha sferat e jetës. 

Poeti Bekim Muhaxheri shkruan se Blerim Rrecaj, në librin e tij me tri pjesë, na kthen mbrapa në kohën kur ndjenim jetën, e nuk ishim të burgosur brenda ekraneve të telefonave tanë që po bëhen më të mençur se ne. 

“Libri i ngjan një lumi të kohës sonë, një lumi figurativ Kosove nëpër të cilin rrjedhin të gjitha ato që i hedhim në të- ngarkesat tona, ankthet, pritjet, ëndrrat, çastet e bukura, rrjedhja e pandalshme e kohës…, sepse siç tha një i ditur ‘në këtë botë jemi vetëm një grumbull vitesh’”, ka shkruar Muhaxheri për librin e Rrecajt.