Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan, Jode Biden, Foto: Facebook

Zelensky do t’ia paraqesë SHBA-së 'planin e fitores'

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se inkursioni i trupave të tij në rajonin Kursk në Rusi është pjesë e “planit të fitores” që do t’ia paraqesë muajin e ardhshëm presidenti amerikan, Joe Biden.

Duke folur në një forum, presidenti Zelensky ka thënë se sukses i planit do të varej prej presidentit Biden dhe nëse Shtetet e Bashkuara do t’ia jepnin ose jo Ukrainës “çfarë është në këtë plan dhe nëse ne do të jemi të lirë apo jo që ta përdorim këtë plan”, raporton BBC.

“Mund të tingëllojë si tepër ambicioze për dikë, por është një plan i rëndësishëm për ne”, ka shtuar ai, duke theksuar se do t’ia tregojë planin edhe kandidatëve ameirkanë për president, Kamala Harris dhe Donald Trump.

Një numër trupash ukrainase ia kanë dalë të kryejnë një sulm të befasishëm brenda territorit rus në rajonin e Kurskut në fillim të gushtit, dhe Rusia deri tani nuk ka qenë në gjendje të sprapsë forcat ukrainase në ofensivë.

Duke folur në të njëjtin forum, komandanti më i lartë ushtarak i Kievit, gjenerali Oleksandr Syrskyi, ka thënë se Ukraina tani ka nën kontroll 123 kilometra katrorë të territorit rus dhe rreth 100 vendbanime – megjithëse këto të dhëna nuk janë verifikuar nga BBC-ja.

Ai ka thënë gjithashtu se Ukraina për qëllim të mbajë territorin e pushtuar rus dhe se motivi i inkursionit ishte të shpërqendroheshin trupat ruse prej ofensivës së tyre në lindje të Ukrainës. Rusia po mundohet ta marrë kontrollin e qytetit Pokrovsk, që është qendër e rëndësishme dhe ku ndodhet një stacion i rëndësishëm hekurudhash.

Presidenti Zelensky ka thënë gjithashtu se Ukraina ka kryer së fundmi testin e parë të suksesshëm të një rakete balistike të prodhuara nga industria ukrainase e armatimit. Ai ka përgëzuar këtë industri, por ka refuzuar që të japë më shumë hollësi.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com