Foto: Lion Guards/ facebook

Vritet në Kenia njëri nga luanët më të vjetër në botë

Luani mashkull i egër me emrin Loonkiito, që besohet të jetë një nga më të moshuarit në botë, ka ngordhur pasi është goditur me shtiza nga barinjtë, raporton BBC sipas autoriteteve në Kenia.

Loonkiito, i cili ishte 19 vjeç, ngordhi në fshatin Olkelunyiet të mërkurën mbrëma.

Grupi i ruajtjes “Lion Guardians” tha se “ai ishte luani mashkull më i vjetër në ekosistemin tonë dhe ndoshta në Afrikë”. Shumica e luanëve jetojnë deri në 13 vjet në natyrë.

Sipas Federatës Botërore të Kafshëve të Egra, pothuajse të gjithë luanët jetojnë në Afrikë me një popullsi të vogël në Indi.

Zëdhënësi i Shërbimit Kenia Wildlife (KWS) Paul Jinaro ka thënë për BBC-në se luani ishte i vjetër dhe i brishtë dhe endej në fshat nga parku në kërkim të ushqimit.

Ai shtoi se vrasja e Loonkiito-s ishte një “situatë e vështirë për të dyja palët, njerëzit dhe luanin”, dhe e lavdëroi atë si “një simbol të qëndrueshmërisë dhe bashkëjetesës”.

Jetëgjatësia mesatare e një luani është rreth 13 vjet në natyrë, megjithëse ata mund të jetojnë shumë më gjatë në robëri.

Përgatiti: Ilirjana Hoti