Ushtari amerikan pranon fajësinë për shitjen e sekreteve Kinës

Një analist i Ushtrisë amerikane ka pranuar fajësinë pas akuzave për konspiracion të shitjes së sekreteve ushtarake Kinës, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Rreshteri Korbein Schultz u arrestua në mars pas një hetimi të kryer nga FBI-ja dhe kundërzbulimi i Ushtrisë amerikane, me të cilin ngriheshin dyshimet se ai ishte paguar me 42 mijë dollarë amerikanë në këmbim të ndarjes së të dhënave të ndjeshme të sigurisë, raporton transmetuesi britanik, BBC.

Hetimi penal nisi në qershor 2022 dhe vazhdoi deri në arrestimin e tij, kanë thënë zyrtarët. Vendimi pritet t’i shqiptohet në janar.

Rreshteri Schultz, i cili kishte qasje në informacione top-sekrete, kishte komplotuar duke mbledhur të dhëna me dikë që besohet se jetonte në Hong-Kong, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Banori i dyshuar nga Hong-Kongu i kishte kërkuar rreshterit amerikan të mblidhte të dhëna të ndjeshme të lidhura me sistemet raketore dhe mobile të mbrojtjes amerikane, thuhet në aktakuzë.

Rreshteri Schultz kishte mbledhur të dhëna edhe për fluturaket, taktikat ushtarake dhe strategjitë mbrojtëse të ushtrisë amerikane për Tajvanin, bazuar në të dhënat që ushtria amerikane i kishte nxjerrë prej luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Duke komplotuar për të bartur informatat e mbrojtjes kombëtare te një person që jeton jashtë Shteteve të Bashkuara, ky i pandehur pamëshirshëm ka vënë në rrezik sigurinë tonë kombëtare për të përfituar materialisht prej besimit që ia kishte dhënë ushtria jonë”, ka thënë ndihmës-kryeprokurori Matthew Olsen, nga Diuvizioni i Sigurisë Kombëtare i Departamentit amerikan të Shtetit.

Rreshteri Schultz ka pranuar të martën fajësinë për të gjitha akuzat kundër tij, përfshirë edhe atë për konspiracion për të marrë dhe ndarë informacione të mbrojtjes kombëtare dhe për ryshfet të një zyrtari publik.

Aktakuza ndaj rreshterit Schultz ofronte hollësi të mesazheve që ia kishte dërguar banorit të dyshuar nga Hong-Kongu, të cilit në dokumente prokuroria i është referuar si Konspiratori A.

Në këmbime mesazhesh, Schultz thoshte se “dëshironte të bëhej Jason Bourne”, duke iu referuar karakter fiktiv të spiunazhit.

Pasi i ishin premtuar më shumë para prej pranuesit të informacioneve, ai shkruante në një tjetër mesazh: “Shpresoj se po! Më duhet ta kthej BMW-në tjetër!”

FBI-ja dhe Komanda e Kundërzbulimit e Ushtrisë amerikane po vazhdojnë zbardhjen e rastit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com