Pamjet nga shkatërrimet në Ukrainë, Foto: VOA

OBSH raporton 64 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar 64 sulme në objektet shëndetësore në Ukrainë deri më tani, tha të mërkurën Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, raporton CNN

“OBSH tani ka verifikuar 64 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor që nga fillimi i luftës dhe ne jemi në proces të verifikimit të sulmeve të mëtejshme,” tha Tedros në një konferencë për media.

“Sulmet ndaj shëndetësisë duhet të ndalen. Sistemet shëndetësore, objektet dhe punonjësit shëndetësorë nuk janë dhe nuk duhet të jenë kurrë objektiv”, tha ai.

Dr. Mike Ryan, drejtor i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, ndau statistika nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin lidhur me ndjeshmëritë e miliona njerëzve që janë zhvendosur brenda vendit në Ukrainë, duke potencuar se 32% e familjeve të zhvendosura përfshijnë dikë që është i sëmurë kronik dhe gati 20% përfshijnë dikë që është me aftësi të kufizuara.

Situata si kjo në Ukrainë, tha Ryan, shpesh çojnë në kushte ku edhe qasja në objektet shëndetësore “bëhet një përvojë kërcënuese për jetën”.

“Kjo është çnjerëzore në një nivel që është shumë e vështirë të shpjegohet. Është shumë e vështirë për t’u kuptuar. Është e vështirë të imagjinohet se çfarë po kalojnë njerëzit në këtë situatë”, tha ai.

Duke folur për vështirësinë e punës në Ukrainë dhe rajone të tjera në krizë, përfshirë Etiopinë, Ryan tha se parimet “bazë” rreth ndihmës po harrohen.