Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSh ka verifikuar 18 sulme në objektet shëndetësore në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) deri tani ka verifikuar 18 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, tha të mërkurën Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, raporton CNN

“Deri më tani, OBSh ka verifikuar 18 sulme ndaj objekteve shëndetësore, punonjësve shëndetësorë dhe ambulancave, duke përfshirë dhjetë vdekje dhe 16 lëndime”, tha Tedros në një konferencë për media.

Ai tha se po mbështesin vendet fqinje në kujdesin ndaj refugjatëve.

“Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe OBSh po mbështet vendet fqinje për të ofruar kujdes shëndetësor për refugjatët, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Disa nga sfidat kryesore shëndetësore që shohim janë hipotermia, sëmundjet e frymëmarrjes, mungesa e trajtimit për sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, dhe çështjet e shëndetit mendor”, shtoi ai.

Ghebreyesus tha se organizata ka dorëzuar 81 tonë furnizime në rajon dhe po punon për krijimin e një tubacioni për të marrë furnizime për objektet shëndetësore.

“Dje, ne dërguam 5 tonë furnizime mjekësore në Kiev për të mbështetur kujdesin kirurgjik për 150 pacientë me traumë dhe furnizime të tjera për të menaxhuar një sërë kushtesh shëndetësore për 45,000 njerëz në muaj. Më shumë furnizime do të shpërndahen sot”, tha ai.

E vetmja zgjidhje reale për këtë situatë është paqja, tha Ghebreyesus.

“OBSh vazhdon t’i bëjë thirrje Federatës Ruse që të angazhohet për një zgjidhje paqësore të kësaj krize dhe të lejojë akses të sigurt dhe të papenguar në ndihmën humanitare për ata që kanë nevojë”, tha drejtori i përgjithshëm.

Zelensky: Rusia sulmoi maternitetin në Mariupol, ka fëmijë nën rrënoja

Përgatiti: Ardita Zeqiri