Foto: Carla Del Ponte/RTK

Carla del Ponte kërkon urdhër arrest ndërkombëtar për Putinin dhe zyrtarë të lartë rus

Ish-kryeprokurorja e gjykatave të OKB-së për krimet e luftës ka bërë thirrje që presidenti rus Vladimir Putin të arrestohet për pushtimin e Ukrainës, raporton BBC. 

Carla del Ponte tha se urdhër arrestet ndërkombëtar duhet të lëshohen kundër Putinit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë rusë.

“Putini është një kriminel lufte”, deklaroi ajo për gazetën zvicerane Le Temps.

Del Ponte shërbeu si kryeprokurore në gjykatat penale ndërkombëtare të OKB-së për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën.

Një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë filloi muajin e kaluar pasi Rusia u akuzua për bombardimin e civilëve. Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Karim Khan i Mbretërisë së Bashkuar, tha se po mblidheshin prova mbi krimet e dyshuara të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Por, ka edhe disa kufizime praktike për fuqinë e kësaj gjykate ndërkombëtare pasi Rusia nuk është anëtare e saj dhe teorikisht nuk i ekstradon qytetarët për t’u gjykuar jashtë vendit.

Kur presidenti amerikan Joe Biden iu referua Putinit si një “kriminel lufte” muajin e kaluar, Kremlini tha se fjalët e tij ishin “të pafalshme”.