Ukrainasit çlirojnë qytetin kyç të aneksuar ditë më parë nga Rusia

Rusia pësoi një disfatë ushtarake poshtëruese të shtunën kur trupat ukrainase çliruan qytetin kyç lindor të Lyman, me video që shfaqnin ata duke ngritur një flamur kombëtar dhe duke performuar një valle fitoreje.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pranoi se ushtarët e saj ishin tërhequr nga qyteti i lartcekur. Ata janë “tërhequr në linja më të favorshme”, tha ministria ruse, pas rrethimit të tyre nga forcat ukrainase. Humbja e kontrollit mbi këtë qytet është “një poshtërim” për Vladimir Putin, i cili deklaroi të premten se qyteti Lyman – në rajonin e Donetskut – është bërë “përgjithmonë” i Rusisë.

Ministrja e mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, bëri një vizitë të papritur në Ukrainë – e para e saj që nga pushtimi i Rusisë në shkurt – ndërsa Kievi i kërkoi Berlinit t’i dërgonte tanke luftarake. Lambrecht vizitoi qytetin port jugor të Odesës të shtunën dhe u takua me homologun e saj ukrainas, Oleksii Reznikov, tha ministria gjermane e mbrojtjes.

Tubacioni ‘Nord Stream 2’ nuk po rrjedh më nën Detin Baltik sepse është arritur një ekuilibër midis presionit të gazit dhe ujit, tha zëdhënësi i tubacionit Ulrich Lissek për AFP. Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka thënë se seria e shpërthimeve që dëmtuan rëndë tubacionet e gazit të Rusisë ishte një akt sabotimi.

Bjellorusia po përgatitet të pranojë ushtarë dhe pajisje ruse, raporton Kyiv Independent. Ka rreth 1000 ushtarë rusë në vend.

Ambasadorja e Ukrainës në Kanada tha se vendi i saj e mban përgjegjëse Rusinë për shkeljen e hapësirës ajrore sovrane të Ukrainës duke i bombarduar aeroportet, gjë që bie ndesh me marrëveshjen e vitit 1944 që përcakton parimet thelbësore për aviacionin global. Yuliya Kovaliv i tha Reuters se është e rëndësishme që të gjithë anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të OKB-së (ICAO) të adresojnë “një shkelje kaq drastike të konventës së Çikagos”.

Rusia nuk arriti të fitonte vota të mjaftueshme për t’u rizgjedhur në këshillin drejtues të ICAO. Rusia kishte një vend në këshillin 36 anëtarësh të agjencisë së aviacionit të OKB-së si një nga “shtetet me rëndësi kryesore në transportin ajror”.

Kreu i rajonit rus të Çeçenisë tha se Moska duhet ta konsiderojë përdorimin e një arme bërthamore me rendiment të ulët në Ukrainë pas disfatës së saj në fushën e betejës në Lyman. Ramzan Kadyrov tha në një mesazh në Telegram duke e adresuar humbjen e bastionit të saj nga Rusia: “Për mendimin tim personal, duhet të merren masa më drastike, deri në shpalljen e ligjit ushtarak në zonat kufitare dhe përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët. ”

Një superjaht i ndërtuar për një oligark nën sanksione po ofrohet në mënyrë diskrete për shitje për 29 milion dollarë. Ndërmjetësuesit po paralajmërohen se shitja e MySky, e ndërtuar për Igor Kesaev – e sanksionuar për furnizimin me armë të ushtrisë ruse – nuk duhet të reklamohet në internet.

Rusia e ka akuzuar presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, për shkeljen e parimeve të lojës duke sugjeruar se atletët rusë mund të lejohen të kthehen në garë me kusht që të mos e mbështesin pushtimin e Ukrainës. Bach i tha gazetës italiane Corriere della Sera: “Kjo luftë nuk është nisur nga atletët rusë”.

Autoritetet ruse e informuan Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se shefi i termocentralit bërthamor të Ukrainës Zaporizhzhia është “arrestuar përkohësisht” për t’u marrë në pyetje. Ihor Murashov u arrestua gjatë rrugës nga uzina e pushtuar nga Rusia – më e madhja në Evropë – për në qytetin Enerhodar rreth orës 16:00 të së premtes. Rusia po përpiqet t’ia transferojë centralin Zaporizhzhia kompanisë ruse të energjisë Rosatom, i tha BBC-së shefi i kompanisë së energjisë atomike të Ukrainës, Petro Kotin.

Guvernatori i rajonit të Kharkiv tha se autoritetet ukrainase gjetën trupat e të paktën 20 personave në një autokolonë civile pranë qytetit të Kupiansk. Oleh Syniehubov beson se ata u vranë ndërsa tentuan të largoheshin nga ushtarët rusë, sipas Kyiv Independent.

Turqia, e cila ka qenë në qendër të ndërmjetësimit midis perëndimit dhe Rusisë, i hodhi poshtë aneksimet e Rusisë në Ukrainë, duke e quajtur vendimin e Kremlinit në katër rajone një “shkelje të rëndë” të së drejtës ndërkombëtare./The Guardian