
Flamuri i Ukrainës - Foto: Faqja zyrtare e Presidencës ukrainase
Ukraina thotë se po merr informacione 'të dobishme' nga ushtarët e kapur koreano-veriorë
Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (HUR) tha se dy ushtarët koreanoveriorë, të cilët u kapën teksa po luftonin për Rusinë, po vazhdojnë të merren në pyetje.
Kievi ka thënë se është i gatshëm t’i këmbejë ata me ushtarët ukrainas të cilët mbahen nga Moska – nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un mund të organizojë një këmbim të tillë.
Duke folur me Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 13 janar, Yevhen Yerin, përfaqësues i HUR-it, tha se kapja gjallë e ushtarëve të Koresë së Veriut – hera e parë që Ukraina njofton për një gjë të tillë që kur ushtarët koreanoveriorë hynë në luftë për të mbështetur Rusinë – i ofrojnë Kievit “shumë mundësi të dobishme”.
“Informacioni që mund të mbledhim nga këta individë është i rëndësishëm jo vetëm për inteligjencën operacionale, por edhe si mjet politik për të zbuluar pjesëmarrjen e Ushtrisë së Koresë së Veriut në veprimet ushtarake të Rusisë.” – tha ai.
Kapja e dy ushtarëve të plagosur, që u bë publike më 11 janar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ende nuk është konfirmuar as nga Moska e as nga Pheniani.
Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut dërgoi afër 11.000 trupa në rajonin Kursk për të mbështetur forcat ruse atje. Moska ka rimarrë afër 40% të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë mbi 500 kilometra katrorë në Kursk dhe trupat e Phenianit raportohet se po përjetojnë humbje masive.
Yerin tha se duket se ushtarët koranoveriorë po integrohen në shumë pjesë të betejës së Rusisë në rajonin e Kurskut.
“Ata përdoren kryesisht si mish për top. Megjithatë, në mesin e tyre ka edhe specialistë të ndryshëm të cilët merren me çështje të ndryshme, por në përgjithësi ata janë pjesë e këmbësorisë.” – tha ai duke iu referuar ushtarëve të cilët luftojnë në mbështetje të Rusisë.
Më herët gjatë 13 janarit, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut tha se më shumë se 300 ushtarë koreanoveriorë janë vrarë në rajonin rus të Kurskut, ndërkaq afër 2.700 të tjerë janë plagosur.
Shërbimi i Sigurisë të Ukrainës (SUB) tha se një i burgosur, i cili u tha se ka lindur më 2005, pretendoi se besonte se po shkonte “për t’u trajnuar, jo për të luftuar kundër Ukrainës”.
Tjetri ishte detyruar të shkruante përgjigjet e tij sepse ka lëndime në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ka lindur më 1999 dhe ishte snajperist në Ushtrinë e Koresë së Veriut.
Një nga ushtarët e kapur pretendohet se ka thënë se preferon të qëndrojë në Ukrainë sesa të kthehet në Korenë e Veriut, për shkak të frikës se do të “ndëshkohet ashpër” nga Qeveria e tij – duke thënë se me gjasë ai përballet me ekzekutim apo burgim afatgjatë.
“Pjesëmarrja e Koresë së Veriut nuk ka rëndësi vetëm në fushëbetejë, por ka edhe implikime të mëdha diplomatike.” – tha Yerin.
Zelensky e ka akuzuar publikisht Rusinë dhe Korenë e Veriut, se po tentojnë të fshehin prova të dislokimit të ushtarëve – duke u dhënë dokumente të falsifikuara ushtarëve të Koresë së Veriut, për t’i paraqitur ata si qytetarë rusë./REL