Ukraina pretendon se kontrollon një mijë kilometra katrorë të Rusisë

Komandanti më i lartë i Ukrainës ka thënë se forcat e Kievit kontrollojnë një mijë kilometra katrorë të territorit rus, derisa po vazhdojnë të zgjerojnë kontrollin në inkursionin më të madh tejkufitar dy vjet e gjysmë pas fillimit të luftës, raporton BBC.

Komandanti Oleksandr Syrskyi ka thënë se Ukraina ka vazhduar “të kryejë një operacion ofensiv në rajonin e Kurskut”, i cili ka filluar shtatë ditë më parë.

Lideri rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar ofensivën si “provokim të madh” dhe ka urdhëruar forcat ruse “ta shkelmojnë armikun jashtë territorit tonë”.

Një numër në ngritje njerëzish janë evakuuar nga rajoni perëndimor rus për shkak të sigurisë. Raportohet se numri i personave të zhvendosur ka shkuar në 59 mijë.

Guvernatori lokal ka thënë se 28 fshatra në rajon kanë rënë në duar të forcave ukrainase dhe se12 civilë janë vrarë. Ai ka theksuar se “gjendja mbetet e vështirë”.

Trupat ukrainase lansuan të martën e javës së kaluar një sulm të befasishëm, duke avancuar 30 kilometra në thellësi të territorit të Rusisë.

Ofensiva thuhet se ka rritur moralin në mesin e ukrainasve, por analistët thonë se strategjia do të sjellë rreziqe të reja për Ukrainën.

Një burim i lartë i ushtrisë britanike, i cili ka kërkuar të mos identifikohet i ka thënë BBC-së se ka rrezik se sulmi i befasishëm ukrainas brenda territorit rus mund të nxitë Putinin që të urdhërojë sulme kundër popullsisë dhe infrastrukturës civile të Ukrainës.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com