Ilustrim
Turqit protestojnë kundër ligjit kundërthënës për qentë endacakë
Mijëra demonstrues janë mbledhur të dielën për të protestues kundër legjislacionit të fundit që kritikët thonë se do t’i hapë rrugën vrasjes së qenve endacakë në mbarë Turqinë.
Në gusht, deputetët kanë aprovuar ligjin e ri që ka për qëllim largimin e miliona qenve endacakë nga rrugët, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë. Dashamirët e kafshëve druajnë se kjo mund të shpjerë në vrasje të qenve ose vendosje të tyre në strehimore të mbipopulluar dhe me sëmundje të qenve, raporton AP.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ligji ishte i domosdoshëm për t’u marrë me “Problemin e qenve endacakë”.
Protestuesit e së dielës (01.09.2024) kanë kërkuar që ligji të tërhiqet, duke mbajtur pankarta në të cilat shkruante “strehimoret janë kampe të vdekjes” dhe “tërhiqeni ligjin e përgjakshëm”.
“Ne kërkojmë që ligji të tërhiqet menjëherë”, ka thënë protestuesi Hasan Kizilyatak, 64 vjeç. “Qentë endacakë janë krijesa të gjalla, si ne. Ne jemi këtu sepse jemi kundër asgjësimit të tyre”.
Ayten Arslan, 55 vjeç, e cila ka thënë se mbështet Erdoganin, gjithashtu ishte në protestë.
“Sikur se kemi qëndruar pranë presidentit tonë më 25 korrik (2016) kur kishte një përpjekje për puç, jemi këtu edhe për kafshët endacake”, ka deklaruar ajo për AP-në. “E them si mbështetës e Partisë AK se ky ligj është ligj i përgjakshëm”.
Partia Republikane, më e madhja në opozitë, e ka dërguar ligjin kundërthënës në Kushtetuese pa kaluar dy javë pas aprovimit të tij.
Qeveria turke llogarit se rreth 4 milionë qenë endacakë sillen rrugëve të Turqisë dhe në zonat rurale. Megjithëse shumica nuk bëjnë telashe, shumë njerëz, përfshirë fëmijë, janë sulmuar.
NJë raport i publikuar nga “Rrugët e Sigurta dhe Mbrojtja e së Drejtës për Jetë Shoqërore”, organizatë që bën fushatë për heqjen e të gjithë qenve endacakë nga rrugët, vlerëson se 65 person kanë vdekur pas sulmeve nga qentë më 2022.
Legjislacioni i rij ua kërkon komunave që t’i mbledhin qentë endacakë dhe t’i vendosin në strehimore që të vaksinohen dhe sterilizohen para se të nisin procedura për adoptim. Qentë që kanë dhimbje, sëmundje të brendshme ose që përbëjnë rrezik për njerëzit do të asgjëoshen. Në draftin fillestar përfshiheshin macet, por ky nen u hoq pas zemërimit të madh publik.
Sidoqoftë, shumë dilema kanë mbetur nëse komunat do të kenë para për të ndërtuar strehimore të domosdoshme shtesë për qentë endacakë.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve thonë se disa komuna mund t’i vrasin qentë me pretekstin se janë të sëmurë për të mos ndarë fonde për strehimin e tyre.
Pamjet me mace dhe qenë të ngordhur e të hedhur në hendeqe kanë qarkulluar në mediat sociale së fundmi. Aktivistët e të drejtave të kafshëve thonë se kafshët u vranë pa dallim pas aprovimit të ligjit të ri.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com