Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Trumpi thotë se kishte “gjithë të drejtën” që të përzihej në zgjedhjet e 2020-s
Ish-presidenti republikan i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili akuzohet nga drejtësia shtetërore dhe federale për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 që i humbi prej presidentit Joe Biden, ka ngulmuar se gëzonte “gjithë të drejtën” e botës për t’u përzier në rezultatin e zgjedhjeve, raporton Reuters.
“Ku keni dëgjuar t’ju padisin për përzierje në një palë zgjedhje presidenciale ku ju kishit çdo të drejtë ta bënit atë punë?” – ka pyetur Trumpi në një intervistë në “Fox News”, që është transmetuar të dielën.
Në një aktakuzë federale, Trumpi akuzohet se kishte bërë përpjekje që të mos e lejonte Kongresin që të certifikonte fitoren e Bidenit dhe se ua kishte provuar votuesve të drejtën për zgjedhje të drejta. Muajin e kaluar është marrë vendim për ta rishikuar aktakuzën federale, me të cilën akuzohet se ishte munduar ilegalisht të përmbyste humbjen e zgjedhjeve më 2020.
Mbështetësit e Trumpit sulmuan Capitolin amerikan më 6 janar 2021, në një përpjekje të pasuksesshme për të mos e lejuar Kongresin që të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve pas disa javësh me akuza të rreme se zgjedhjet i kishte fituar Trumpi.
Trumpi përballet me akuza të ngjashme në Fulton County në Georgia, ku gjithashtu është akuzuar për shantazhim, që përdoret për të shënjestruar anëtarët e grupeve të organizuara kriminale dhe mund të rezultojë me dënim deri me 20 vjet burgim.
Rasti, i cili është pauzuar derisa gjykata shtetërore e apelit ta shqyrtojë rolin e prokurorit të distriktit, lidhet me 2 janarin 2021 kur nëpërmjet një thirrje telefonike Trumpi i kishte kërkuar zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve në Georgia, Brad Raffensperger, që “të gjente” mjaftueshëm vota sa për ta përmbysur humbjen e tij të ngushtë në këtë shtet. Zyrtari kishte refuzuar kërkesën e Trumpit.
Trumpi, i cili tani është kandidat republikan për president, nuk ka thënë nëse do të pranonte pa kushte rezultatet e zgjedhjeve të 5 nëntorit nëse rivalja e tij demokrate, zëvendëspresidentja Kamala Harris, do t’i fitonte zgjedhjet.
Në një deklaratë të së hënës, fushata e Harrisit ka thënë se komentet e fundit të Trumpit në “Fox News” dhe deklarimet e tij të mëhershme “e bëjnë të qartë se ai beson se është mbi ligjin”.
“Tani, Trumpi pretendon se kishte ‘gjithë të drejtën’ për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2020-s. Nuk e kishte”, ka bërë të ditur fushata e Harrisit në një komunikatë të shkruar.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com