The Guardian: Ukrainë - 329 fëmijë të zhdukur, 12,034 të dëbuar në Rusi

Sot është dita e 279 e luftës në Ukrainë.

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014. Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Pushtimi filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” që synonte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Në fjalimin e tij, Putin i përkrahu pikëpamjet irredentiste, sfidoi të drejtën e Ukrainës për shtetësi dhe pretendoi në mënyrë të rreme se Ukraina qeverisej nga neo-nazistët që persekutonin pakicën etnike ruse. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, të ndjekur nga një pushtim i madh tokësor nga drejtime të shumta. Si kundërpërgjigjie ndaj këtij agresioni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e miratoi ligjin ushtarak dhe mobilizimin e përgjithshëm.

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Luftimet rreth qytetit kyç të Ukrainës lindore, Bakhmut, kanë rezultuar të përgjakshme me qindra të vdekur dhe të plagosur raportohet çdo ditë. Rusia zhvendosi formacione të reja në këtë zonë javët e fundit, por as forcat ruse dhe as ukrainase nuk kanë bërë një përparim të rëndësishëm pas muajsh me luftime.

Forcat ruse vazhdojnë ta bombardojnë infrastrukturën e banimit dhe banesat në qytetin Kherson të çliruar së fundmi, sipas ushtrisë së Ukrainës. Në përditësimin e tij të hënën, Instituti për Studimin e Luftës (ISë) tha se trupat ruse po hapnin llogore dhe po i forcojnë pozicionet e tyre në përgatitje për një kundërofensivë të mundshme të Ukrainës në Kherson lindor.

Shtetet e Bashkuara do ta shpallin ndihmën e re të martën për ta ndihmuar Ukrainën ta rivendosë energjinë elektrike pasi vendi u përball me një javë tjetër të ftohtë dhe errësirë pasi sulmet ruse në rrjetin e saj të energjisë shkaktuan ndërprerje të vazhdueshme.

SHBA po e shqyrton një propozim të Boeing për ta furnizuar Ukrainën me bomba precize të lira dhe të vogla të montuara në raketa me bollëk të disponueshëm, duke i dhënë mundësinë Ukrainës të godasë shumë prapa linjave ruse ndërkohë që perëndimi përpiqet ta plotësojë kërkesën për më shumë armë. Sipas shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës, inventarët ushtarakë të SHBA dhe aleatëve kanë filluar të tkurren.

DTEK, prodhuesi më i madh privat i energjisë elektrike në Ukrainë, tha se do ta reduktojë furnizimin me energji elektrike me 60% për konsumatorët e saj në Kiev. Operatori kombëtar i rrjetit Ukrenergo tha të hënën se është i detyruar të rifillojë ndërprerjet të rregullta emergjente në të gjithë Ukrainën pas një pengese në përpjekjen e tij për ta riparuar infrastrukturën energjetike.

Forcat ukrainase dëmtuan një urë hekurudhore në veri të qytetit jugor të Melitopolit të pushtuar nga Rusia, e cila ka qenë kyçe për furnizimin e forcave ruse, thanë forcat e armatosura të Ukrainës.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka thënë se 329 fëmijë konsiderohen të zhdukur në Ukrainë, ndërsa 12,034 të tjerë janë dëbuar në Rusi. Sipas portalit fëmijët e luftës të qeverisë ukrainase, 440 fëmijë janë vrarë si rezultat i luftës së Rusisë dhe 851 fëmijë raportohen si të plagosur.

Rusia i ka “shtyrë në mënyrë të njëanshme” bisedimet me SHBA-në që synojnë rifillimin e inspektimeve të armëve bërthamore në Kajro këtë javë, konfirmoi një zëdhënës i departamentit të shtetit amerikan. Bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë janë planifikuar të fillojnë nesër. Ministria e Jashtme ruse e konfirmoi në një deklaratë se bisedimet nuk do të zhvillohen më këtë javë.

Linja telefonike e luftës në Ukrainë midis Rusisë dhe SHBA-së është përdorur një herë, sipas një burimi të Reuters. Linja e komunikimit u krijua në fillim të luftës. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se SHBA-ja nisi një thirrje në linjën e “dekonfliktit” për t’i komunikuar shqetësimet e saj në lidhje me operacionet ushtarake ruse pranë infrastrukturës kritike në Ukrainë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala