Gratë presin për ndihma në qendrën në Sheberghan
Talibanët ua ndalojnë grave zërin në publik
Sundimtarët talibanë të Afganistanit ua kanë ndaluar grave zërin dhe daljen në publik pa mbuluar fytyrën me ligjet e reja të aprovuara prej liderit suprem në përpjekje për të luftuar mëkatin dhe promovuar virtytin, shkruan agjencia e lajmeve, AP.
Ligjet janë nxjerrë të mërkurën (21.08.2024) pasi janë aprovuar nga lideri suprem, Hibatullah Akhundzada, ka bërë të ditur një zëdhënës qeveritar. Talibanët kanë themeluar një ministri për propagandimin e virtytit dhe parandalimin e mëkatit pas marrjes së pushtetit më 2021.
Ministria ka publikuar ligjet e saja të mëkatit dhe virtytit të mërkurën që mbulojnë aspekte të jetës së përditshme, si transporti publik, muzika, rruaja dhe festat.
Në një dokument prej 114 faqesh, 35 nene të lexuara nga “The Associated Press”, janë deklarime të para formale për ligjet e virtytit dhe mëkatit që prej ardhjes me dhunë në pushtet në Afganistan tri vjet më parë.
“Inshallah ju sigurojmë se ky ligj islamik do të jetë ndihmë e madhe për promovimin e virtytit dhe për eliminimin e mëkatit”, ka thënë zëdhënës i ministrisë, Abdul Ghafar Farooq, në një deklaratë për AP-në të enjten.
Ligjet ia mundësojnë ministrisë që të jetë në ballë të rregullimit të sjelljes personale, administrimin e ndëshkimeve, si vërejtjet ose arrestimet nëse shkelësit vlerësohet se kanë shkelur ligjet afgane.
Neni 13 lidhet me gratë thotë se është e detyrueshme për gratë që të mbajnë mbulesa që mbulojnë trupin gjatë gjithë kohës në hapësira publike dhe se mbulesa është qenësore për të shmangur joshjen te të tjerët. Veshja nuk duhet të jetë e hollë, e ngushtë dhe e shkurtë.
Gratë detyrohen të mbulohen para burrave jomyslimanë dhe gratë duhet t’i shmangen korruptimit. Zëri i gruas konsiderohet diçka private dhe rrjedhimisht nuk duhet të dëgjohet duke kënduar, recituar ose lexuar me zë të lartë në publik. Është e ndalueshme për gratë që t’i shikojnë burrat me të cilët nuk kanë lidhje gjaku ose martese, dhe anasjelltas.
Neni 17 ndalon publikimin e imazheve të qenieve të gjalla, duke cenuar funksionimin e mediave afgane, edhe ashtu me telashe.
Neni 19 ndalon muzikën, transportimin e grave pa u shoqëruar nga një mashkull dhe përzierjen e burrave dhe grave që nuk kanë lidhje gjaku. Ligji i obligon edhe pasagjerët dhe shoferët që të falen në kohën e namazit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com