Flamuri i SHBA-së, Foto: Pixabay

Sulmohet shtëpia e Nancy Pelosit, plagoset bashkëshorti

Paul Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, është “sulmuar dhunshëm” në shtëpinë e tyre në Kaliforni.

Sipas informacioneve Paul Pelosi, 82 vjeç, pësoi një traumë të fortë në kokë dhe në trup dhe po merr trajtim mjekësor. Zëdhënësi i Pelosit, Drew Hammill, tha se ai pritet të shërohet plotësisht nga lëndimet e marra.

Sulmuesi është në paraburgim dhe motivi i sulmit është duke u hetuar, tha zëdhënësi.

Ndërsa rrethanat e sulmit janë të paqarta, sulmi ngre pyetje në lidhje me sigurinë e anëtarëve të Kongresit dhe familjeve të tyre pasi kërcënimet ndaj ligjvënësve janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, dy vjet pas kryengritjes së dhunshme në Kongresin Amerikan. Sulmi ndodhi, gjithashtu, vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme, në të cilat krimi dhe siguria publike janë shfaqur si shqetësimet kryesore në mesin e amerikanëve.

Shpeshherë i shfaqur në krah të Nancy Pelosit gjatë ngjarjeve formale në Uashington, Paul Pelosi është një investitor i pasur në Bregun Perëndimor. Ata kanë pesë fëmijë të rritur dhe shumë nipër e mbesa. Të dy kanë 59 vite martesë.

Në fillim të këtij viti, Paul Pelosi u deklarua fajtor për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit me pasojë aksidentin dhe u dënua me pesë ditë burgim dhe tre vjet me kusht./REL