Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Sulmet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, ky është qëndrimi i presidentit të Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar pas veprimeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, duke e quajtur atë “të papranueshëm” në një fjalim televiziv të enjten.

“Ky hap, të cilin ne e shohim si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është një goditje për stabilitetin dhe paqen rajonale”, tha Erdogan.

Erdogan deklaroi se ka biseduar më herët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ai përsëriti mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

“Na vjen sinqerisht keq që Rusia dhe Ukraina, të cilat i shohim të dyja si vende mike dhe që kemi marrëdhënie të ngushta politike dhe sociale, janë përballur në këtë mënyrë”, shtoi ai.

“Ne do të bëjmë pjesën tonë për ta garantuar sigurinë e të gjithëve që jetojnë në Ukrainë, veçanërisht qytetarëve tanë dhe vëllezërve tatarë në rajon”, shtoi ai.

Erdogan bisedoi me Vladimir Putin në një telefonatë të mërkurën, ku ai shprehu kundërshtimin e tij ndaj hapave të presidentit rus kundër sovranitetit të Ukrainës./CNN