Shpëtohet 77 vjeçarja, pasi qëndroi katër ditë në furgon e bllokuar nga bora

Zjarrfikësit në Newark, New Jersey, të enjten më 4 shkurt shpëtuan një grua 77 vjeçare e cila ishte bllokuar brenda furgonit të saj për të paktën katër ditë për shkak të stuhisë së borës gjatë kësaj jave.

Gruaja e identifikuar si Janet Ward, jeton aktualisht në mini-furgonin e saj. Ajo i tha stacionit të zjarrfikësve se kishte qenë e bllokuar që nga e diela pasi një pastruese bore nuk e kishte parë dhe e kishte bllokuar.

“Unë po i bija borisë për t’i thënë se isha këtu, por ata nuk e morën mesazhin. Unë kam qenë këtu për katër ditë“, tha ajo për CNN.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Departamenti i Newark i Sigurisë Publike, gruaja kontaktoi policinë të mërkurën në orën 3:30 pasdite.

Zyrtarët thanë se ata nuk ishin në gjendje ta gjenin mini-furgonin e saj pasi adresa që i dha 77 vjeçarja ishte e gabuar.

Policia u përpoq ta kontaktonte, por nuk patën sukses.

Drejtori i Policisë Publike, Anthony Ambrose tha se zyrtarët nuk morën vesh asgjë nga gruaja deri të enjten në mëngjes, në orën 9:30 kur ajo kontaktoi sërish me Departamentin e Zjarrit.

Forcat e para arritën në skenë gjashtë minuta më vonë, thuhet në njoftimin për shtyp dhe hapën një shteg deri te dera e saj duke e liruar atë.

Gruaja refuzoi kujdesin mjekësor dhe ndihmën për të gjetur një strehë.

“Unë nuk dua që kjo të ndodhë me askënd tjetër”, tha Ward.

Deklarata nga Departamenti i Sigurisë Publike shtoi se Zyra e Shërbimeve të Pastreha të Newark është duke punuar që t’i ofrojë ndihmë gruas.