Donald Trump i gjakosur. Pensilvani, 14.07.2024 | Foto: CNN

Shërbimi Sekret ia merr agjentët Bidenit që ta mbrojnë Trumpin

Në kaosin e krijuar pas tentim-vrasjes së muajit të kaluar, Shërbimi Sekret amerikan ka marrë anëtarët e ekipit të mbrojtjes së presidentit Joe Biden, duke i angazhuar në ekipin e fushatës së ish-presidentit Donald Trump, shkruan gazeta “New York Times”.

Dhe Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka fuqizuar masat e sigurisë për kandidatin republikan për president në një mori fushash pas tentim-vrasjes së muajit të kaluar në Pensilvani, kanë thënë për gazetën prestigjioze amerikane disa burime të informuar me rrjedhat e sigurisë së shefit të Shtëpisë së Bardhë. Burimet i kanë thënë NYT-it gjithashtu se në kuadër të ndryshimeve është marrë përkohësisht edhe një pjesë e ekipit mbrojtës të Bidenit, për t’iu bashkuar ekipit të sigurisë së Trumpit.

Shërbimi Sekret ka siguruar edhe syze balistike, të dizajnuara për të sprapsur plumbat, për të ofruar mbrojtje të avancuar për Trumpin në tubimet e ardhshme në mjedise të jashtme, kanë shtuar të njëjtat burime, duke folur në kushte anonimiteti për metodat sekrete të çështjes së sigurisë së politikanëve më të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Zhvendosja e anëtarëve të ekipit të presidentit në ekipin e një kandidati, është diçka e pazakonshme, ka thënë një zyrtar i Shërbimit Sekret, duke folur në kushte anonimiteti për gazetën njujorkeze. Por kërcënimi i ngritur për dhunë ndaj Trumpit, shto orarin e reduktuar aktualisht të presidentit Biden për të udhëtuar, e kanë bërë këtë hap të domosdoshëm dhe të realizueshëm, ka shtuar burimi.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk ka pasur koment menjëherë pas kërkesës së “New York Timesit”, derisa një zëdhënëse e fushatës së Trumpit ka refuzuar të komentojë raportin gazetaresk.

Shërbimi Sekret është përballur me kritika prej 13 korrikut kur një person i armatosur ishte në gjendje të qëllonte pa u penguar drejt Trumpit në një tubim elektoral në mjedis të hapur në Butler në Pensilvani. Atentatori qëlloi Trumpin në vesh, duke lënë të vdekur një person pjesëmarrës në tubim dhe plagosur rëndë dy të tjerë. FBI-ja po e heton rastin, derisa edhe liderët e Kongresit kanë krijuar komisione hetimore.

Shërbimi Sekret ka marrë përgjegjësinë për lëshimet e sigurisë që e bën të mundshëm sulmin. Kimberly A. Cheatle dha dorëheqje si drejtoreshë e agjencisë dhe është zëvendësuar. Por megjithëse po mundohet ta rimarrë veten nga lëshimi më i madh i sigurisë presidenciale për më shumë se katër dekada, agjencia duhet të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e një morie të zyrtarëve të lartë aktual dhe të dikurshëm, dhe të familjeve edhe gjatë atij që po del të jetë viti më sfidues dhe i tensionuar elektoral i zgjedhjeve presidenciale.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com