SHBA rikthehet zyrtarisht në Marrëveshjen e Parisit për Klimën

Shtetet e Bashkuara janë rikthyer zyrtarisht në Marrëveshjen e Parisit pasi administrata e Presidentit Trump braktisi paktin global për klimën nën pretendimet se ishte shumë e kushtueshme për biznesin.

Shtëpia e Bardhë thotë se stuhia e ashpër dimërore që ka shkaktuar disa dhjetëra viktima në Teksas dhe disa shtete të tjera amerikane këtë javë është një lloj i motit ekstrem që po shkakton ndryshimi i klimës. Disa familje pa energji elektrike dhe ujë u strehuan nëpër dyqane dhe vende të tjera. Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vonohen më gjatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

“Kjo është një krizë globale, ekzistenciale dhe nëse dështojmë, të gjithë do të vuajmë pasojat. Duhet të përshpejtojmë zotimet tona për të frenuar në mënyrë agresive ndotjen nga njeriu dhe të mbajmë përgjegjës njëri-tjetrin për përmbushjen e objektivave dhe shtimin e ambicieve tona.”

Në një ceremoni me rastin e rikthimit të Amerikës në paktin për klimën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se kjo forcon përpjekjen globale për të ngadalësuar ngrohjen.

“Gjatë katër viteve të fundit, mungesa e një lojtari kryesor krijoi një hendek tek Marrëveshja e Parisit, një hallkë e munguar që dobësoi gjithçka. Ndërsa përgëzojmë rikthimin e Amerikës në këtë traktat, po ashtu ripohojmë objektivat e marrëveshjes në tërësi, ashtu siç synonin krijuesit e tij. Mirë se erdhët përsësi!”// Zeri i Amerikes