Ilustrim
SHBA-ja e padit liderët e Hamasit për sulmet e 7 tetorit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë paditur liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, dhe shumë figura të tjera të njohura në grupin palestinez në lidhje me sulmin vdekjeprurës në Izrael më 07.10.2023, raporton BBC.
Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se ka paditur gjashtë anëtarë të”Hamasit” me shtatë pika të akuzës, përfshirë vrasjen e qytetarëve amerikanë, për konspiracion për të financuar terrorizmin dhe për përdorim të armëve të shkatërrimit në masë.
Në përmbajtjen e materialit përfshihen edhe dekada me sulme të Hamasit, si dhe sulmi i pashembullt i grupit militant në Izraelin jugor pothuajse një vit më parë.
Është hapi i parë sipas ligjeve amerikane të drejtësisë për t’i bërë përgjegjës liderët rrjetit të sulmit të 7 tetorit, megjithëse tre prej të akuzuarve janë të vdekur dhe Sinëar besohet se po fshihet diku në tunelet e Gazës.
Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se të akuzuarit janë përgjegjës për “financimin dhe drejtimin e një fushate njëdekadëshe të vrasjes së shtetasve amerikanë dhe për rrezikimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara”.
Grupi i tyre gjithashtu ishte në krye të “përpjekjeve të ‘Hamasit’ për ta shkatërruar shtetin e Izraelit dhe për vrasjen e civilëve për të njëjtin qëllim”.
Departamenti i Drejtësisë thotë se sulmi i “Hamasit”, ku u vranë familje të tëra ishte “masakra më e madhe e hebrenjve që prej kohës së Holokaustit”. Në mesin e 1.200 viktimave kishte edhe fëmijë dhe pleq. Në sulmin e 7 tetorit, “Hamasi” rrëmbeu edhe më shumë se 250 civilë, derisa më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë prej sulmeve izraelite të nisura pas sulmit të grupit militant palestinez në territorin e Izraelit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com