Fotografi: Avi Ohayon/dpa/GPO/picture alliance
SHBA-ja aprovon pakon prej 20 miliardë dollarësh për shitjen e armëve Izraelit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aprovuar pakon prej 20 miliardë dollarësh për shitjen e armëve Izraelit, përfshirë edhe aeroplanë bombardues dhe raketa të avancuara ajër-ajër, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit, raporton AP.
Kongresi është njoftuar për shitjen e parashikuar që përfshinë më shumë se 50 aeroplanë luftarakë F-15, raketa me rreze të mesme ajër-ajër, ose AMRAAM, municion prej 120 milimetrash për tanke dhe mortaja të kalibrit të lartë shpërthyes, si dhe makineri taktike. Vendimi është marrë në kohën e ngritjes së tensioneve dhe ngritjes së shqetësimeve se Izraeli mund të përfshihet në një luftë më të gjerë në Lindje të Mesme.
Megjithatë, armët nuk pritet të arrijnë shpejt në Izrael, sepse janë kontrata që duhen vite që të realizohen. Shumica e sasisë së armatimit që do t’i shitet Izraelit, do të shërbejë për ta ndihmuar për të rritur kapacitetet e tij ushtarake në planin afatgjatë, madje sistemet e para që do t’i dërgohen nuk pritet të arrijnë deri më 2026.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit, dhe është vitale për interesat kombëtare amerikane të ndihmojë Izraelin të zhvillojë dhe ruajë aftësinë e tij të vetëqendrueshme të mbrojtjes. Kjo shitje e propozuar është në linjë me këto objektiva”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Administrata e Bidenit ka pasur një qëndrim të baraspeshuar për përkrahjen e vazhdueshme për Izraelin me një numër në ngritje thirrjesh nga kongresistët dhe publiku amerikan për të frenuar mbështetjen ushtarake për shkak të numrit të lartë vdekjeve të civilëve në Gazë. Izraelit i është kërkuar vazhdimisht që të mos përdorë armatimin e rëndë gjatë bombardimt të caqeve të tij në rajone të banuara me popullsi civile.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com