Së paku tre të vrarë nga një seri sulmesh në Afganistan

Së paku tre persona janë vrarë nga një valë e re e dhunës që ka përfshirë Afganistanin. Policia njoftoi se dy persona u vranë më 2 shkurt kur një automjet shpërtheu në Kabul. Në mesin e të vrarëve është edhe Mohammad Atif kreu i një organizate bamirëse.

Dy automjete të tjera shpërthyen gjithashtu në pjesë të tjera të qytetit duke plagosur disa njerëz.

Një ushtar u vra në një sulm të veçantë në qytetin lindor të Xhalalabadit, ndërsa një zyrtar i lartë i sigurisë u shënjestrua në një shpërthim që ndodhi në provincën qendrore Paruan. Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha se incidentet nuk kishin të bënin me grupin.

Pavarësisht se talibanët mohojnë përfshirjen në sulme, një organizatë vëzhguese amerikane lëshoi një raport tre ditë më parë në të cilin thuhej se sulmet e talibanëve në Kabul po shtohen duke shënjestruar zyrtarët, aktivistët dhe gazetarët.

Raporti u publikua në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Joe Biden po planifikon të marrë një kahje të re në marrëveshjen e paqes midis SHBA-së dhe talibanëve të nënshkruar në muajin shkurt të vitit 2020 nga ana e administratës së ish-presidentit, Donald Trump.

Inspektori Special i Përgjithshëm për Rindërtimin e Afganistanit, i njohur si SIGAR, monitoron miliarda dollarë që SHBA-ja shpenzon në Afganistanin e shkatërruar nga lufta. REL