Sergei Lavrov - Foto: REL/AP

Rusia paralajmëron SHBA-në: Mos u tall me “vijat tona të kuqe”

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke u përgjigjur në pyetjen për mundësinë e ofrimit të raketave amerikane me rreze të gjata veprimi Ukrainës, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mërkurën(04.09.2024) që të mos tallet me “vijat e kuqe”, raporton Reuters.

Lavrov ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta humbin përceptimin e neutralizimit të përbashkët që kishte mbajtur baraspeshën e sigurisë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit pas Luftës së Ftohtë, dhe se kjo është e rrezikshme.

Ai po komentonte një raport të Reutersit se Shtetet e Bashkuara është afër arritjes së një ujdie për furnizimin e Ukrainës me rreze të gjata veprimi JASSM që mund të arrijnë thellë brenda territorit rus – për të cilat presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kaherë ka bërë fushatë.

“Nuk do të habitesha prej asgjëje – amerikanë tashmë kanë kaluar pragun që ia kishte përcaktuar vetes. Dhe Zelensky afërmendsh se e sheh këtë dhe po përfiton prej kësaj”, ka deklaruar Lavrov në një intervistë për një televizion rus.

“Por ata duhet ta dinë mirë – ata po tallen me vijat tona të kuqe në këtë pikë. Ata nuk duhet të tallen me vijat tona të kuqe”.

Presidenti Vladimir Putin vazhdimisht ka paralajmëruar Perëndimin prej nisjes së luftës në Ukrainë, të cilën e quajti “operacion special ushtarak”, që të mos e provkojnë Rusinë, që ka arsenalin më të madh atomik ushtarak në botë.

Por Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë ngritur shkallën e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë ofrimin e tankeve, raketave të avancuara dhe bombarduesve F-16.

Lavrov ka thënë se Uashingtoni i dinte këto vija të kuqe, porse e ka gabim nëse beson se pasojat e çfarëdo përshkallëzimi në luftën në Ukrainë do t’i vuante vetëm Evropa.

“Ata kanë një bindje gjenetike se askush nuk do t’i prekë ata”, ka deklaruar Lavrov. Kjo, ka thënë ai, cenon të gjitha parimet që kishin mbajtur në fuqi stabilitetin strategjik me Uashingtonin prej kohërave sovjetike.

Lavrov deklaroi në fundgusht se Perëndimi po luan me zjarrin pasi po shqyrton mundësinë që ta lejojë Ukrainën ta sulmojë edhe më në thellësi Rusinë me raketa perëndimore dhe ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se Lufta e Tretë Botërore nuk do të kufizohej vetëm në Evropë

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com