
Rritja e inflacionit në Gjermani
Vala e madhe e rritjes së çmimeve në Gjermani është thyer, por norma e inflacionit është rritur kohët e fundit. Cilat janë shkaqet?
Inflacioni në Gjermani mbetet më i lartë sesa është pritur. Me një normë prej 2.6%, dhjetori solli rritjen e tretë radhazi dhe normën e dytë më të lartë të inflacionit në vitin 2024 – njoftoi Zyra Federale e Statistikave në Gjermani. Ekonomistët aktualisht nuk presin një ulje të ndjeshme të çmimeve të konsumit, por besojnë se nuk ka gjasa një valë e re e madhe e rritjes së çmimeve.
“Në janar inflacioni mund të mbetet në një nivel të ngjashëm, për shkak të çmimeve më të larta të karburanteve dhe shërbimeve të sigurimit.” – parashikon ekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer. Ai shton: “Problemi i inflacionit nuk është zgjidhur ende.”
Michael Heise, ekonomist në HQ Trust, nuk sheh ndonjë lehtësim për konsumatorët as në janar. Rritja e taksës së dioksidit të karbonit, rritja e çmimit të biletës së transportit publik, kostot në rritje të sigurimeve shëndetësore dhe shërbimeve ekonomike mund të rezultojnë me një rritje të çmimeve prej rreth 2.5% – thotë ai.
Inflacioni vjetor 2.2%
Pavarësisht rritjes së infoacionit në dhjetor, inflacioni në Gjermani ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Sipas të dhënave statistikore, për vitin 2024 mesatarisht çmimet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 2.2% – krahasuar me një vit më parë. Sa për krahasim, norma e inflacionit në vitin 2023 ishte 5.9%, ndërsa në vitin 2022 ishte 6.9%. Si rezultat i sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022 çmimet e produkteve të energjisë u rritën ndjeshëm. Edhe në vitin 2021 inflacioni ishte dukshëm më i lartë, me një normë mesatare prej 3.1%.
Inflacioni mbi 2%
Ekonomistët presin që inflacioni të mbetet mbi nivelin e 2% gjatë vitit 2025. Disa ekspertë shohin më pak hapësirë për Bankën Qendrore Evropiane (BQE) për të ulur normat e interesit. Megjithatë, asnjë ekspert nuk pret një valë të re rritjesh të çmimeve, si ato në 2022 dhe 2023, kur norma e inflacionit në ekonominë më të madhe të Evropës arriti në pothuajse 9%. Në vend të kësaj, norma vjetore e inflacionit për vitin 2025 pritet të jetë në nivelin e vitit 2024, e disa ekspertë thonë se ajo mund të jetë rreth 2.1%.
Normat më të larta të inflacionit ulin fuqinë blerëse të konsumatorëve. Inflacioni anulon edhe efektin e rritjes së të ardhurave. Në dhjetor më së shumti janë rritur shërbimet me rreth 4.1%. Ushqimet janë rritur mesatarisht me rreth 2%. Ndërsa, çmimet e karburanteve kanë rënë me 1.7%. Pavarësisht krizës, shumë ekonomistë mendojnë se gjendja do të stabilizohet në masë në vitin 2025./DW