Ushtarët gjermanë të KFOR-it

Rikthim i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Gjermani?

Gjermania nuk e ka në shkallën e duhur të aftësisë mbrojtëse si vend. Tani po diskutohet rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Një hap jo i lehtë.

Shoqata e Rezervistëve të Bundeswehr-it bën thirrje për një rikthim të shpejtë të shërbimit ushtarak në Gjermani. Trupat kanë nevojë për 20.000 ushtarë të rinj këtë vit – tha presidenti i Shoqatës Patrick Sensburg për mediat gjermane.

Të martën, më 04.03.2025, Unioni CDU/CSU dhe SPD ranë dakord për një paketë të madhe financiare me vlerë disa qindra miliardë euro, gjatë bisedimeve të tyre parapërgatitore për koalicionin. Kjo u bë e nevojshme tani kur SHBA jep shenjat e tërheqjes nga mbështetja ushtarake për Ukrainën.

A është e mundur vendosja e shpejtë e shërbimit ushtarak?

Ministri i Mbrojtjes nga SPD, Boris Pistorius duket skeptik për një rikthim të shpejtë të rekrutimit të përgjithshëm. “Nuk kemi kazerma të përmasave ku të mund të strehojmë të gjithë rekrutët e një viti.” – theksoi Ministri. Pistorius sugjeron “t’u ofrojmë perspektivë atyre që vërtet e duan shërbimin dhe që mund të duhen më shumë”.

Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kërkon edhe Unioni CDU/CSU. Politikani i CSU-së, Florian Hahn kishte kërkuar më parë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak brenda këtij viti.

Politikani i mbrojtjes i CSU-së, Thomas Silberhorn u ankua në gazetën “Welt” se me 180,000 ushtarë, Bundeswehr aktualisht është nën kapacitetin prej 185,000, që ishte vendosur kur shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në 2011. Ne do të na nevojiteshin 270,000 ushtarë – tha ai./DW