Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së

Qeveria e re e Bangladeshit shfuqizon ndalimin e partisë islamike

Qeveria e përkohshme e Bangladeshit, e udhëhequr nga laureati i Nobelit për Paqe, Muhammad Yunus, ka shfuqizuar ndalesën për partinë islamike, “Jammat-e-Islami”, që ishte vënë nga ish-kryeministrja, e cila u rrëzua nga pushteti pas protestave kundër sundimit të saj, raporton AP.

Sheikh Hasina, e cila u largua nga vendi më 5 gusht, kishte ndaluar partinë si organizatë “militante dhe terroriste” dhe kishte fajësuar krahun e saj studentor dhe mekanizmat e tjerë të lidhur me të për nxitjen e kaosit lidhur me sistemin e kuotave të punësimit në sistemin publik. Javë të tëra të protestave të dhunshme dhe fushata represive e Qeverisë së Hasinas rezultuan me më shumë se 600 të vdekur, tregojnë të dhënat e Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Brendshme e ka shfuqizuar vendimin e ndalesës të mërkurën, duke i hapur rrugë kësaj partie që t’i rifillojë aktivitetet e veta. Ende i duhet që të regjistrohet në Komisionin e Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja.

Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm të lidershipit të partisë. “Jamat-e-Islami” ishte ndaluar prej pjesëmarrjes në zgjedhje prej vitit 2013, pasi Komisioni i Zgjedhjeve kishte anuluar regjistrimin e saj, një vendim që ishte fuqizuar edhe nga Gjykata e Lartë, që kishte vlerësuar se karta e partisë shkelte kushtetutën duke kundërshtuar sekuralizmin.

Këshilltari për çështje Ligjore i Bangladeshit, Aif Nazrul, ka thënë se ndalesa e Hasinas ishte e motivuar politikisht dhe se nuk bazohej në ideologji.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com