Putini shpërfill fletarrestin ndërkombëtar, viziton Mongolinë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur të martën (03.09.2024) vizitën zyrtare në Mongoli pa dhënë shenja se shteti nikoqir do t’u përgjigjej thirrjeve ndërkombëtare për arrestimin e tij sipas një fletarresti ndërkombëtar pas ngritjes së dyshimeve për krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, raporton AP.

Udhëtimi është i pari i Putinit në një shtet anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale pas lëshimit të fletarrestit për të tetëmbëdhjetë muaj më parë. Para vizitës së tij, Ukraina i kishte bërë thirrje Mongolisë që ta dorëzonte Putinin në gjykatën e Hagës, derisa Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin se Mongolia mund të mos e zbatojë fletarrestin. Një zëdhënës i Putinit deklaroi javën e kaluar se Kremlini nuk ishte fare i shqetësuar për këtë punë.

Vizita e tij do ta vërë Mongolinë në pozitë të sikletshme. Anëtarët e gjykatës ndërkombëtare janë të detyruar që t’i arrestojnë të dyshuarit nëse ka fletarrest të lëshuar, por Mongolia është një vend goxha i izoluar dhe i varur me të madhe nga Rusia për naftë dhe energji elektrike. Gjykata nuk ka ndonjë mekanizëm për zbatimin e vendimeve.

Lideri rus është mirëpritur në një ceremoni shtetërore në sheshin kryesor të kryeqytetit, duke ia vendosur gardën e nderit, të uniformuar me ngjyra të kuqe dhe të kaltra të ngjashme me gardën personale të sundimtarit të shekullit të trembëdhjetë, Xhengiz Kan, themelues i Perandorisë Mongole.

Putini dhe presidenti mongol, Ukhnaa Khurelsukh, kanë parakaluar nëpër tepihun e kuq shkallëve drejt Pallatit Qeveritar dhe janë përkulur para një shtatoreje të Xhengiz Kanit para se të futeshin në ndërtesë për takimet e tyre.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka akuzuar Putinin se është përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina, ku ka dy vjet e gjysmë prejse kanë nisur luftimet si pasojë e agresionit rus ndaj shtetit fqinj në shkurtin e vitit 2022.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com