Raketat e Iranit, Ilustrim: Pixabay

Presidenti i Iranit thotë se sulmi ndaj Izraelit ishte “vetëm një pjesë e fuqisë tonë”

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka thënë se sulmi me raketa ndaj Izraelit ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit, duke paralajmëruar se operacioni i datës 01.10.2024 ishte “vetëm një pjesë e fuqisë sonë”, raporton CNN.

“Ky aksion ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit. Për t’i treguar (kryeministrit izraelit, Benjamin) Netanyahut se Irani nuk është agresiv, por qëndron fort kundër çdo kërcënimi” – shkroi ai. “Mos hyni në një konflikt me Iranin” – porositi ai.

Për këtë sulm, Pentagoni ka thënë se ishte dy herë më i madh se sulmi që Irani i bëri Izraelit në prill.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një mesazh tjetër të postuar në X paralajmëroi në gjuhën hebraike se “goditjet” kundër Izraelit do të bëhen “më të forta dhe më të dhimbshme.”

“Me ndihmën e Zotit, goditjet e frontit të kryengritjes do të bëhen më të forta dhe më të dhimbshme ndaj trupit të kalbur dhe të shkatërruar të regjimit sionist” – tha ai.

Kjo valë sulmesh vjen pasi Izraeli nisi një operacion tokësor përtej kufirit të tij verior në Liban, duke synuar grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Izraeli vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror të premten e kaluar dhe shkatërroi udhëheqësinë e forcës më të fuqishme paramilitare në Lindjen e Mesme — duke rritur frikën për një luftë të re rajonale.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se Irani ka hedhur rreth 180 raketa drejt Izraelit.

Përgatiti: Vlera Shabani/KALLXO.com