Gra iraniane që nuk kanë mbuluar kokën me shami ose hixhab, të detyrueshme në Iran, të shtunën e 5 gushtit 2023 në Teheran. (AP Photo/Vahid Salemi)
Policia iraniane qëlloi një grua në makinë pse nuk e kishte hixhabin, thonë aktivistët
Në një rrugë të errët pranë Detit Kaspik, zyrtarët policorë iranianë muajin e kaluar hapën zjarr në drejtim të një gruaje 31-vjeçare, e cila ishte munduar të largohej shpejt me gjasë duke e ditur se policia dëshironte t’ia konfiskonte makinën, shkruan agjencia e lajmeve, AP.
Policia ishte urdhëruar që t’ia merrte makinën, thonë aktivistët, sepse më parë ajo kishte shkelur ligjin iranian për mbulesën, duke shfaqur flokët e saj në publik gjatë kohës së ngasjes së makinës.
Tani e paaftë për të ecur dhe e ngujuar për një shtrat në një spital policor, Arezou Badri – nënë e dy fëmijëve – është viktima e fundit e fushatës së re represive të Iranit kundër grave që nuk mbajnë shami ose hixhab. Shtënia në drejtim të saj ndodhi pothuajse dy vjet pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq gjatë kohës sa ishte në duar të policisë pas dyshimit për shkelje të ligjeve për mbulesën, duke nxitur protesta masive mbarëkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kundër teokracisë së vendit.
Derisa po afron përvjetori i vrasjes së Aminit më 16 shtator, presidenti i ri reformist i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka premtuar zbutje të ligjit për shaminë. Por detajet e frikshme për shtënies në drejtim të Badri dhe një video e publikuar së fundmi për një vajzë që sulmohet rrugëve të Teheranit tregojnë për rreziqet me të cilat po përballen ato që nuk i binden këtij ligji.
“Ata e kanë ngritur në shkallën e vlerësimit si krimi më i rëndë, ku policisë i lejohet në fakt të qëllojë për të vrarë”, ka thënë Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në New York. “Kjo në të vërtetë është luftë ndaj grave”.
Shtënia drejt Badri ka ndodhur rreth orës njëmbëdhjetë të natës së 22 korrikut përgjatë një rrugë bregdetare në provincën veriore iraniane Mazandaran derisa ajo po largohej prej shtëpisë së një mikeshe bashkë me motrën e saj, thonë aktivistët.
Në një shkrim të shkurtër të publikuar prej agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, citohet koloneli Ahmad Amini të ketë thënë se policët e patrullës kishin urdhëruar një makinë me xhama të errët që të ndalej, por makina nuk ishte ndalur. Nuk është përmendur shkelja e ligjit për hixhabin ose paralajmërimi për ndalje.
Zyrtarët policorë duket së pari kishin shtënë në drejtim të gomave të makinës së Badrit, sipas Grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran, që ka folur me njerëz që kishin njohuri për rastin e gjuajtjes. Derisa Badri po vazhdonte ngasjen, policët qëlluan në drejtim të makinës, ka thënë grupi; plumba e qëlluan në mushkëri dhe ia dëmtuan boshtin kurrizor.
Sipas ligjit iranian, policia duhet të qëllojë në shenjë paralajmërimi, pastaj synon të plagos pjesën e poshtme të cakut para se të të bëjë gjuajtjen fatale drejt kokës ose gjoksit të të dyshuarit. Nëse i dyshuari është duke ngarë makinën, policët zakonisht së pari ia qëllojnë makinës gomat.
Mbetet e paqartë së pari pse policia deshi ta ndalonte makinën e Badri, megjithëse aktivistët fajësojnë policinë për alarmin e ndaljes për shkak të hixhabit. Nuk dihet gjithashtu nëse ndonjë makinë policie në vend të ngjarjes kishte kamerë që kishte xhiruar gjuajtjen ose ndonjëri prej policëve kishte kamerë trupi.
Nuk ka statistika publike për gjuajtjet fatale të policisë në Iran. Taktikat dhe trajnimet policore të gjuajtjes me armë dallojnë, derisa disa zyrtarë përballen me detyra paramilitare në rajone si krahinat e panënshtruara Sistan dhe Balukistan.
Ministria e Brendshme e Iranit, e cila monitoron policinë e vendit, nuk i është përgjigjur kërkesës së AP-së për koment.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com