Nxënësit e frontit të luftës i gëzohen kthimit në shkollë pavarësisht alarmit të bombardimeve
Vetëm pak orë pasi sirena e bombardimeve ajrore i alarmoi banorët e krejt qytetit, nxënësit e Zaporizhias po i gëzoheshin traditës së ditës së parë të kthimit në shkollë të dielën e 1 shtatorit, raporton AP.
Me frontin e luftës rreth 40 kilometra larg, lufta asnjëherë nuk ka qenë larg mendjes së mësimdhënësve dhe familjeve në njërën prej shkollave të qytetit. Për shkak të ndalimit të tubimeve të mëdha në qytet, që rregullisht sulmohet prej artilerisë dhe raketave ruse, vetëm nxënësit e klasës së parë dhe të së fundit janë lejuar që të marrin pjesë në paradën shkollore. AP-ja nuk e ka identifikuar në shkrim shkollën për shkaqe sigurie.
Me veshje tradicionale që përfshinin ngjyrat e simboleve ukrainase dhe me lule në duar, fëmijët janë rreshtuar dorë për dore – çdo fëmijë i klasës së parë me një semi-maturant. Pavarësisht prej kufizimeve të luftës, krejt ceremonia ishte festim i së ardhmes së Ukrainës.
Prej 800 nxënësve të shkollës, rreth 300 janë laruar për arsye sigurie jashtë vendit ose gjetkë në Ukrainë. Të tjerët alternojnë një javë mësimi personal me një javë mësimi online, për shkak se strehimorja kukndër bombardimeve mund të rehatojë rreth 250 persona. Zaporizhia zakonisht kalon çdo ditë një hise të mirë të kohës nën jehonën e sirenave të bombardimeve.
Strehimorja e shkollës në rast bombardimesh ndodhet nja 75 metra larg objektit kryesor të mësimit, matanë një fushe të hapur lojërash. Drejtori Kostian Lypskyi ka thënë se nxënësit më të rinj do të shkojnë për ditë në shkollë dhe do të mësojnë në një klasë të krijuar sipër dhomave të bodrumit, derisa pjesa tjetër e shkollës do të operojë në ndërtesën kryesore.
“Ne kemi përgatitur gjithçka për vitin e ri shkollor. Kemi pajisur bunkerin në rast alarmesh ajrore, kështu që fëmijët do të kenë hapësirë të sigurt sepse shkolla jonë do t’i vazhdojë mësimet gjatë alarmeve ajrore në bunker”, ka thënë ai.
Ceremonia e së dielës u zhvillua pa probleme dhe Olha Komarova-Lesko, nëna e një nxënësi të klasës së dhjetë dhe një tjetri të së gjashtës, ka thënë se është optimiste për vitin e ri shkollor, duke e përshkruar si më të mirin nën rrethanat aktuale të punës.
“Ne jemi të lumtur që fëmijët kanë mundësinë të festojnë sot si në kohërat e paraluftës”, ka thënë ajo. “Kjo përnjëmend është mahnitëse dhe e gëzueshme”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com