Nuk ka armëpushim për Krishtlindje në Ukrainë

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014.

Sipas tpresidenti rus Vladimir Putin pushtimi kishte si qëllim ndërmarrjen e një “operacioni special ushtarak” që synon “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. 

Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Sot është dita e 295 e luftës në Ukrainë, ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Rusia i ka dhënë fund çdo propozimi për një “armëpushim të Krishtlindjeve” në Ukrainë, duke thënë se kjo temë “nuk është në rendin e ditës”, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në fillim të kësaj jave u bëri thirrje udhëheqësve të G7 që ta mbështesin një zgjidhje paqeje që do të fillonte me tërheqjen e trupave nga Rusia nga Ukraina, duke filluar nga këto Krishtlindje. “Nuk ka qetësi në vijën e frontit”, shtoi ai në një video fjalim të mbrëmjes.

Përmes një komunikate, ushtria ukrainase ka thënë se ka rrëzuar 13 dronë të prodhuar nga Irani mbi kryeqytetin Kiev dhe rajonin përreth të mërkurën në sulmin e parë të madh me dronë të Rusisë në javë. Sulmet dëmtuan pesë ndërtesa dhe autoritetet e përshkruan sulmin si një vazhdimësi të “terrorit energjetik” të Rusisë kundër Ukrainës. Nuk pati viktima.

Një bazë ajrore ruse në Kursk u godit të mërkurën mbrëma, ka deklaruar, Anton Gerashchenko, këshilltar i lartë presidencial i Volodymyr Zelenskiy duke  postuar një sërë përditësimesh në Telegram, me fjalët se një “dron i panjohur” goditi objektin ushtarak.

Duke cituar raporte të paspecifikuara të mediave ruse, ai tha se ka pasur “dy shpërthime në Kursk pranë aeroportit”.

SHBA pritet të vendosë nëse do ta furnizojë Ukrainën me sistemin e saj të avancuar të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’. Zyrtarët amerikanë i thanë CNN se raketat mund të dorëzohen brenda disa ditësh pas breshërive të përsëritura ruse kundër qyteteve të Ukrainës. ‘Patriot’ do të ishte sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që perëndimi i ka ofruar Ukrainës. ëashington Post raportoi gjithashtu se SHBA po planifikon të dërgojë pajisje elektronike që i konvertojnë municionet ajrore të padirixhuara në bomba inteligjente, duke lejuar një shkallë të lartë të shënjestrimit të saktë, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me këtë çështje.

Kanadaja do ta revokojë heqjen e sanksioneve përmes të cilave i lejohej turbinave për Nord Stream 1, gazsjellësi më i madh rus në Evropë, të riparoheshin në Montreal dhe të ktheheshin në Gjermani. Tubacioni nën Detin Baltik u mbyll për riparime më 31 gusht, por nuk u rifillua asnjëherë dhe më vonë në shtator pësoi rrjedhje të mëdha. Qeveritë evropiane dyshojnë se këputjet e gazsjellësit dhe një tjetër i quajtur Nord Stream 2 janë shkaktuar nga sabotazhi. “Putini është detyruar të tregojë se qëllimi i tij nuk ishte të kthente Nord Stream 1 në funksionim të plotë asnjëherë dhe se vetë gazsjellësi është bërë i pafuqishëm”, tha të mërkurën ministrja e Jashtme kanadeze, Mélanie Joly.

Lufta në Ukrainë do të vazhdojë “edhe për ca kohë”, parashikon zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby sipas të cilit shkalla e dhunës së vazhdueshme i ka zbutut shpresat për një fund të afërt të armiqësive. “Vetëm duke pasur parasysh atë që po shohim në ajër dhe në tokë në Ukrainë, është e vështirë të arrihet në përfundimin se kjo luftë do të përfundojë deri në fund të vitit”, tha Kirby. “Pra, tani po zhvillohen luftime aktive. Ne presim që kjo të vazhdojë për një kohë në vijim”.

Rusia përballet me një “mungesë kritike” të predhave të artilerisë dhe aftësia e Moskës për të ndërmarrë operacione tokësore në Ukrainë po “zvogëlohet me shpejtësi” si rezultat, ka thënë shefi i forcave të armatosura të Britanisë, shefi i shtabit të mbrojtjes Adm. Sir Tony Radakin. Tutje, Radakin ka shtuar se Kremlini kishte planifikuar vetëm për një periudhë të shkurtër për ta nënshtruar Ukrainën, dhe në vend të kësaj e ka gjetur veten të përfshirë në një konflikt që zgjati gati 10 muaj .  

Një shtetas amerikan, i cili u arrestua nga separatistët pro-rusë në Ukrainë gjatë verës, tani është liruar si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve me Ukrainën, ka deklaruar shefi i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak. Suedi Murekezi, 35 vjeç, u lirua nga Rusia së bashku me 64 ushtarë ukrainas dhe trupat e katër ushtarëve të rënë, tha Yermark. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala