Një kapsulë radioaktive e vogël dhe potencialisht vdekjeprurëse dyshohet se ka humbur në Australi

Është njësoj si ta kërkosh një gjilpërë në një kashtë – një kapsulë argjendi 8 mm me 6 mm, jo më e madhe se një monedhë, besohet të jetë humbur diku përgjatë një autostrade të madhe në shkretëtirë në shtetin më të madh të Australisë.

Kompania e minierave Rio Tinto kërkoi falje të hënën duke thënë se po mbështet përpjekjet e qeverisë shtetërore për ta gjetur kapsulën, e cila përmban Caesium-137, një substancë shumë radioaktive e përdorur në pajisjet e minierave.

Rio Tinto tha se i ka kontrolluar të gjitha rrugët brenda dhe jashtë vendit të minierës Gudai-Darri në pjesën veriore të Australisë Perëndimore, ku kapsula ishte vendosur përpara se një kontraktor ta merrte atë për udhëtimin në jug në kryeqytetin e shtetit, Perth.

Autoritetet australiane besojnë se kapsula, e cila lëshon rrezet gama dhe beta, ka rënë nga pjesa e pasme e një kamioni që lëvizte përgjatë një seksioni 1,400 kilometra të autostradës Great Northern.

Për shkak të përmasës së vogël të kapsulës dhe distancave të mëdha të përfshira, autoritetet paralajmërojnë se shanset për ta gjetur atë janë të pakta.

Dhe ka frikë se ajo mund të jetë transportuar tashmë më larg nga zona e kërkimit, duke krijuar një rrezik radioaktiv shëndetësor për këdo që do të gjendetj andejpari për 300 vitet e ardhshme.

Sa e rrezikshme është kapsula?

Ekspertët kanë paralajmëruar se Caesium-137 mund të krijojë probleme serioze shëndetësore për njerëzit që bien në kontakt me të: djegie të lëkurës nga ekspozimi i afërt, sëmundje nga rrezatimi dhe rreziqe potencialisht vdekjeprurëse të kancerit, veçanërisht për ata që ekspozohen pa e ditur për periudha të gjata kohore.

Radiation Services WA, një kompani që ofron këshilla për mbrojtjen nga rrezatimi, thotë se qëndrimi brenda një metri nga kapsula për një orë do të jepte rreth 1.6 milisieverts (mSv), aq sa rreth 17 rreze X standarde të gjoksit.

Marrja e kapsulës do të shkaktonte “dëmtim serioz” në gishtat tuaj dhe indet përreth, thotë kompania në një deklaratë.

Çfarë ndodh nëse kapsula nuk gjendet?

Caesium-137 ka një gjysmë jetëgjatësi prej rreth 30 vjetësh, që do të thotë se pas tre dekadash, radioaktiviteti i kapsulës do të përgjysmohet dhe pas 60 vjetësh, do të përgjysmohet përsëri.

Me atë shpejtësi, kapsula mund të jetë radioaktive për 300 vitet e ardhshme.

Caezium-137 është normalisht një burim i mbyllur – që do të thotë, nëse nuk prishet, nuk do të kontaminojë tokën ose mjedisin… Nëse kapsula nuk gjendet asnjëherë, nuk do të kontaminojë ose transferojë radioaktivitet në tokën përreth.

Rio Tinto, një nga gjigantët më të mëdhenj të minierave në botë, operon 17 miniera mineral hekuri në rajonin Pilbara të Australisë Perëndimore. /CNN

Përgatiti: Nuhi Shala